Aktualitet

"Kryebashkiaku është njohur me aktet"! Dosja “Veliaj” në pritje, reagon SPAK: Seancat po shtyhen për shkak të mbrojtjes

SPAK sqaron se pretendimi i Veliajt për njohjen me aktet e procedimit penal, nuk qëndrojnë, pasi mbrojtësit e kryebashkiakut e kanë marrë një kopje të akteve të procedimit penal. 

zh.ll
"Kryebashkiaku është njohur me aktet"! Dosja
erion veliaj-spak

TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka bërë një sqarim zyrtar lidhur me çështjen e kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, për shkak të ky i fundit ka kërkuar të njihet me aktet hetimore. Sipas SPAK, deri më tani janë shtyrë 8 seanca gjyqësore për shkak të mungesave të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre. SPAK sqaron se pretendimi i Veliajt për njohjen me aktet e procedimit penal, nuk qëndrojnë, pasi mbrojtësit e kryebashkiakut e kanë marrë një kopje të akteve të procedimit penal. 

Njoftimi i SPAK:

Sqarim mbi zhvillimet procedurale të çështjes penale nr. 27/2024

Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar sqaron disa rrethana procedurale të cilat lidhen me gjykimin e çështjes penale në ngarkim në ngarkim të të pandehurit Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë.

Procedimi penal, nr.27 i vitit 2024 është dërguar për gjykim pranë Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar më datë 10.9.2025.

Gjykata e Posaçme caktoi më 29.9.2025, seancën e parë të gjykimit paraprak. Prej këtij momenti dhe deri tani janë shtyre 8 seanca gjyqësore për shkak të mungesave të pajustifikuara të mbrojtësve të të pandehurve apo dhe kërkesave të padrejta të tyre, duke penguar përfundimin e gjykimit paraprak brenda afateve të parashikuara nga Kodi i Procedurës Penale*.

Sa i takon prentendimeve të përsëritura të të pandehurit, Erion Veliaj, për njohjen me aktet e procedimit penal, nr. 27/2024, theksojmë faktin se Prokuroria e Posaçme ka përmbushur plotësisht detyrimet që burojnë nga neni 327/2/3 të Kodit të Procedurës Penale.

Brenda afatit të parashikuar nga neni 324 i Kodit të Procedurës Penale, prokurorët kanë njoftuar të pandehurin dhe mbrojtësit e tij, mbi përfundimin e hetimeve paraprake. Veç përshkrimit të përmbledhur të faktit penal, për të cilin procedohet i pandehuri, Erion Veliaj është njoftuar edhe me të drejtën për t’u njohur me aktet dhe për të marrë kopje të tyre.

Në ushtrim të kesaj të drejte, mbrojtësit e të pandehurit Erion Veliaj, më datë 24.7.2025, pa asnjë shpenzim kanë marrë një kopje të akteve të procedimit penal, nr. 27 të vitit 2024. Ky fakt është dokumentuar me procesverbalin përkatës të datës 24.7.2025, i nënshkruar nga njëri prej avokatëve të zgjedhur nga i pandehuri Erion Veliaj.

Jo vetëm kaq, por më datë 10.10.2025, i njëjti avokat i zgjedhur ka bërë kërkesë pranë organit procedues për vënien në dispozicion të një kopjeje të akteve, ku pasqyrohen veprimet hetimore shtesë të kryera për periudhën 24.7.2025 deri në muajin Shtator 2025. Në këtë kërkesë, vetë avokati i zgjedhur shprehet se; “më datë 23.07.2025 janë njoftuar për përfundimin e  hetimeve dhe u është vendosur në dispozicion një USB me kopje të akteve të këtij procedimi penal.”

Prokurorët e çështjes theksojnë se mënyra vijuese e ndërveprimit pas këtij momenti procedural, mes të pandehurit dhe avokatit të zgjedhur prej tij, i takon marrëdhënies së ndërtuar mes tyre dhe në asnjë rast, nuk përfshin organin procedues me pretendime të pabazuara në ligj.

Prokuroria e Posaçme vazhdon të zbatojë ligjin dhe të sigurojë një proces gjyqësor të rregullt dhe transparent.

Shënim për gazetarët

*Parashikimet dhe dispozitat e Kodit të Procedurës Penale rregullojnë afatin 30 ditor të vendimarrjes të gjykatës mbi kërkesën për dërgimin e çështjes në gjyq.

Seanca e sotme ndaj Veliajt dhe të pandehurve të tjerë në dosjen e tij. Shkak për këtë është bërë kërkesa e Veliajt për t’u njohur me materialet voluminoze të dosjes së tij që përllogariten në 60 mijë faqe. Seanca e radhës është caktuar në datën 12 Tetor, ku Gjykata do të duhet të vendosë nëse dosja do të kalojë apo jo për gjykim. 

Erion Veliaj ndodhet në paraburgimim që prej muajit shkurt dhe akuzohet për veprat penale si pastrim parash, mosdeklarim pasurie, korrupsion pasiv në 9 episode, shpërdorim detyre si dhe futje të sendeve të ndaluara në qeli.

Në një seancë të mëparshme avokatët e kryebashkiakut kërkuan që ai të ketë mundësi t’i lexojë në paraburgim të gjitha fashikujt e SPAK, ndërkohë që përveç Veliajt në dosje janë edhe 29 të pandehur të tjerë. Gjatë javës së kaluar avokatët e Veliajt dorëzuan kërkesë në Kushtetuese për shfuqizimin e masës ‘arrest me burg’ ndaj Veliajt, mbasi ata e konsiderojnë si antikushtetues, ndërkohë që më herët e njëjta gjykatë vendosi kundër shkarkimit të tij nga detyra si kryebashkiak.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt pasi akuzohet se, së bashku me bashkëshorten Ajola Xoxa, ndërtuan një skemë komplekse korrupsioni dhe pastrimi parash, për të përfituar në mënyrë të paligjshme nga fondet e bashkisë së kryeqytetit dhe ryshfete nga biznesmenë, kontraktorë të saj, duke përdorur një rrjet kompanish dhe organizatash jofitimprurëse. Sipas SPAK, kryebashkiaku i kryeqytetit dhe bashkëshortja e tij kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për blerje luksoze në internet nga Ajola Xoxa. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB