DURRËS- 15-vjeçari Erion Boba humbi jetën pas disa 9 ditësh në intubim, ngjarje që ka tronditur opinion publik, ndërsa familjarët e të miturit i ka lënë të shaktërruar nga dhimbja. Adem Boba, babai i 15-vjeçarit ka rrëfyer për mediat detajet e ngjarjes, duke deklaruar se djali i tij nuk ka pasur konflikt. Ai ka treguar se ditën e ngjarjes djali i tij ishte nisur për në punë dhe se nuk kishte lidhje me konfliktit, madje ai ka shoqëruar shokët e tij të cilët i kishin kërkuar ndihmë atij.
Në atë që do të ishte 'sqarim' mes të konfliktuarëve, sipas babait të të mitur kanë qenë 6-7 çuna nga të dyja palët, ndërsa djali i tij 15-vjeçar përfundoi duke u sulmuar me thika. Sipas asaj që i ka treguar djali tjetër i familjes, i cili po ashtu ka qenë i përfshirë në sherr, pretendohet se një grua ka qenë dëshmitare okulare.
"Do të tregoj aq sa di. Djali ka qenë duke shkuar për në punë i kanë dalë disa shokë dhe i kanë thënë, na dërgo pak se kemi një muhabet për të sqaruar me disa të tjerë. As nuk i ka njohur ata çunat. Dhe aty ka nisur konflikti. Ku djali im ka mbetur më i dëmtuar. Nuk ka pasur lidhje me ngjarjen, por i ka çuar atje. I ka dërguar që të sqarohen dhe të ikte në punë të vet. Ai ka ndërhyrë për t’i ndarë por ka marrë thika. Një grua me sa kam dëgjuar dëshmitare okulare mund të dijë më shumë. Kanë qenë 6-7 çuna nga të dyja palët. Djali i madh tha njërin e njoh si fytyrë por jo si emër, domethënë nuk kanë patur kontakte me ato çuna që të njihen në lagje. Çunat që janë konfliktuar me djemtë e mi janë pak më të spostuar se nuk njiheshin me njëri-tjetrin. Me shpiritn tim e pata bërë si marrëveshje se nëse do të shpëtonte djali im do e falja atë. Tani ndryshojnë gjërat se nuk e di, nuk jam i sigurt se çfarë do të ndodhë. Unë nuk po them për gjakëmarrje se ndoshta funksionon ligji dhe nuk ka nevojë që të ndërhyj unë, por kërkoj atë që parashikon Kushtetuta e Shqipërisë meqë jam në Shqipëri. Përndryshe më mirë të kishim kërkuar azil të iknim krejt prej këtu. Nuk e ka gjetur gjë çunin prej punës e ka gjetur prej thikës. Ndoshta mund të më paragjykoje ndonjë se pse e ke çuar fëmijën në punë, por unë nuk ia kam ndërprerë shkollën. Në shkollë ka shkuar, mbasdite punonte me kohë të reduktuar. Edhe nëse donte të bënte pushim, kur donte bisedonte me pronarin dhe dakordësoheshin bashkë”, ka thënë baba i Erionit.
Erion Boba, vetëm 15 vjeç, u godit me thikë nga një bashkëmoshatar gjatë një përleshjeje të nxitur nga një debat online. Katër plagë i përshkuan gjoksin, një prej të cilave në zemër, që rezultoi të ishte fatale për të miturin. Jo më larg se dy ditë më parë, familja e Erion iu bëri thirrje shqiptarëve për ndihmë, pasi shpresat te shteti shqiptar duket se u shuan. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve në spitalin e Durrësit, dhe më pas të atyre në QSUT, Erioni nuk ia doli, duke u bërë rasti i dytë në pak kohë, pas atij të Martin Camit, ku nxënësit vriten pas konflikteve të nisura në shkollë.
Autori, 14-vjeçar ka shprehur pendesë përpara grupit hetimor, ku me keqardhje deklaroi se nuk kishte qëllim për të vrarë 15-vjeçarin. Sipas dëshmisë mësohet se në sherr janë përfshirë shumë persona, bashkëmoshatarë, të ndarë në grupe. I mituri deklaroi se ishin pajisur me mjete të forta, si masë për ndonjë konflikt të mundshëm. Ditën e ngjarjes, pasi kanë debatuar dhe qëlluar me sende të forta, 14-vjeçari ka nxjerrë thikën, por sipas tij për vetëmbrojtje dhe vetëm për ta trembur./ZËRI
