
TIRANË- Gjykata e Apelit Tiranë ka shtyrë seancën ndaj Arbër Paplekajt, i cili akuzohet për vrasjen e Pjerin Xhuvanit pak ditë para zgjedhjeve të 2021. Seanca ndaj ish-oficerit të RENEA-s është shtyrë për në datën 9 prill ora 12:00. Seanca e sotme ndaj ish-oficerit të RENEA-s u shty për shkak të rindërtimit të skenës së krimit.
Më 4 mars Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm pranoi rihapjen pjesërisht të procesit. Në seancën e sotme, pritej që prokuroria të jepte informacion edhe për procedimin e pezulluar për personat e tjerë që kanë qëlluar me armë zjarri në vendin e ngjarjes gjatë përplasjes së grupeve të militantëve PD-PS.
Si ndodhi vrasja?
Më 21 prill 2021, 4 ditë para zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit, në Elbasan u vra Pjerin Xhuvani, përkrahës i Partisë Socialiste. Paplekaj ishte pjesë e një "SMV", strukture për Mbrojtjen e Votës e ngritur në Elbasan nga PD. Pas një sherri verbal pasi SMV dyshonte se Xhuvani ishte pjesë e një grupi që blinin vota, ndodhi vrasja ku mbeti i pajetë Xhuvani dhe u plagosën 4 persona të tjerë. Të plagosurit ishin Paulo Vuksani, Emiljano Prenga, Eltjon Bodinaku dhe Xhensila Sota. Nga dita e arrestimit deri më sot në pranga është ish-oficeri i RENEA-s, Arbër Paplekaj i cili akuzohet se qëlloi për vdekje Xhuvanin dhe dhëndrin e tij, Eltjon Bodinakun. Paplekaj, një ish efektiv i RENEA u vetëdorëzua dhe pranoi krimin duke thënë se e kishte bërë goditjen pasi ishte qëlluar më parë me armë zjarri./ZËRI