Aktualitet

“Familja nuk do ta përfaqësoj unë!”, debate në gjyqin për Laert Haxhiun, shtyhet seanca

Në seancën e sotme ka pasur debate mes avokatit Detar Hysi dhe relatorit të çështjes

E.K
“Familja nuk do ta përfaqësoj unë!”, debate në
Laert Haxhiu

TIRANË- Është shtyrë seanca në ngarkim të Laert Haxhiut në GJKKO, i cili akuzohet për masakrën e Lushnjes, ku mbetën të vrarë dy persona në vitin 2017. Seanca e radhës në ngarkim të tij është lënë në datën 1 Dhjetor.

Në seancë ka pasur debate mes avokatit të Haxhiut, Detar Hysi dhe relatorit të seancës Erjon Cela. Hysi kërkoi që gjykata të pranonte kërkesën e tij për heqjen dorë nga përfaqësimi i Haxhiu, me pretendimin se 31-vjeçari dhe familja e tij nuk duan që 31-vjeçari të përfaqësohet prej tij. 

Trupa gjykuese e kryesuar nga Erjon Cela relatoi se Hysi do të qëndrojë në gjykatë deri sa avokati kryesisht Elvis Gorishti të jetë njohur me aktet e çështjes objekt gjykimi sipas kodit të procedurës penale.

Gjykata po ashtu ka marrë vendim që procesi gjyqësor të vijojë në mungesë të Laert Haxhiut, pasi ky i fundit ka refuzuar marrjen dijeni në burgun grek ku ndodhet i ndaluar në pritje të ekstradimit të tij drejt vendit tonë.

Gjyqtari Erjon Çela në fund relatoi që avokati Hysi në seancën e radhës duhet të sjellë një prokurë të firmosur nga familjarët e Laert Haxhiut qe i heqin avokatit tagrat e përfaqësimit. Gjithashtu duhet që prokurorja e çështjes Doloreza Musabelliu të paraqesë me shkrim përmbledhjen e provave shkresore për t’jua vene ne dispozicion avokateve.

Laert Haxhiu akuzohet nga SPAK për masakrën e Lushnjës në 2017, ku u vranë Zamir Latifi dhe Jurgen Hoxha, por shpëtoi shënjestra, Xhulio Shkurti, nipi i Aldo Bares, kreu i bandës së Lushnjës.

Për masakrën e Lushnjës janë dënuar me burgim të përjetshëm Orges Bilbili dhe Anterio Kaloshi. Emri i Bilbilit u lakua së fundi dhe gjatë operacionit “Never Forget”, ku i penduari i drejtësisë Artan Tafani zbardhi 6 vrasje, që dyshohet se janë organizuar nga banda që drejtohet nga lushnjari.

/Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB