Aktualitet

Matura 2024 nis të hënën me provimin e Gjuhës së Huaj

Gjatë një takimi që zhvilloi sot me monitoruesit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu kërkoi zbatimin me përpikmëri të rregullores së Maturës Shtetërore.

k.m.
Matura 2024 nis të hënën me provimin e Gjuhës së Huaj
Foto ilustruese

TIRANË- Provimet e Maturës 2024 do të nisin këtë të hënë. Testimi i parë me maturantët do të nisë me provimin e Gjuhës së Huaj, ndërsa më 10 qershor zhvillohet provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë dhe më 18 qershor provimi i matematikës. Gjatë një takimi që zhvilloi sot me monitoruesit, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu kërkoi zbatimin me përpikmëri të rregullores së Maturës Shtetërore. Ndryshe paralajmëroi ndëshkime!

"Në të gjithë Shqipërinë janë 144 qendra ku do të zhvillohen Provimet e Maturës, dhe Ministria e Arsimit dhe Sportit do të monitorojë procesin me përfaqësues të deleguar, duke siguruar që çdo hap i procesit të garantojë transparencën e duhur. Do të angazhohen rreth 2900 mësues dhe punonjës të arsimit që do të jenë përgjegjës për mbarëvajtjen e provimit në çdo qendër provimi nga veriu në jug. Në provimet e maturës shtetërore do të marrin pjesë rreth 28 mijë nxënës, maturantë. Do të jenë 1900 administratorë provimi që monitorojnë grupe prej 15-20 nxënësish, 200 përgjegjës të administrimit, 250 administratorë të sekretimit, 290 përgjegjës për strukturat shkollore dhe mësues ndihmës për mbështetjen e nxënësve me aftësi të veçanta. Kemi një rregullore që duhet zbatuar nga të gjithë, që nga shkollat e deri në nivel kombëtar. Shpresoj të mos kemi parregullsi, por nuk do të ketë asnjë tolerancë për rastet që shkelin rregulloren. Nxënësit duhet të jenë të qetë dhe të sigurt gjatë këtij procesi provimesh,” u shpreh Manastirliu.

DATAT E PROVIMEVE Matura Shtetërore 2024:
3 qershor, provimi i Gjuhës së Huaj
10 qershor, provimi i Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë
18 qershor, provimi i Matematikës

Gjithsej këtë vit do të testohen 24 mijë nxënës maturantë, të cilët do të vëzhgohen nga 1900 administratorë./ZËRI

Poll

MOS HUMB