TIRANË- Gjykata e Tiranës ka vendosur masën e sigurimit "detyrim paraqitje" për 14 protestuesit e arrestuar pas protestës së Partisë Demokratike, e organizuar më 10 shkurt. Prokuroria kërkoi dy arreste në burg, tre arreste në shtëpi, si dhe nëntë detyrim paraqitje.
Emrat e protestuesve: Kreshnik Çeço, Klodian Bajrami, Leonid Tusha, KLejdi Subashi, Ramazan Nuhu, Geraldo Demiraj, Danjel Kulla, Arbri Ujkaj, Suzana Dimushi, Xhersi Velçanaku, Florian Nuhu, Andrea Kulla, Artur Kadria dhe Fabiol Ahmet.
Një ditë më parë, e njëjta masë sigurie u caktua edhe për 7 protestuesit e mitur.
7 protestuesit e ndaluar janë: Rei Bogdani, Sindrit Peka, Joel Korbi, Kreshnik Kastrati, Zeni Guraj, Daniel Zekaj dhe Oresti Halilaj.
Protesta kombëtare e Partisë Demokratike, e organizuar më 10 shkurt, para Kryeministrisë, është shoqëruar me përlasje dhe akte dhune mes protestuesve dhe forcave të rendit. Menjëherë pas përfundimit të fjalës së kryedemokratit Sali Berisha, ky i fundit valëviti flamurin nga podiumi, ndërsa protestuesit kanë hedhur molotovë e fishekzjarrë në drejtim të kordonit të policisë dhe kryeministrisë.
Kaosi përpara Kryeministrisë zgjati për pak minuta, ndalesa e dytë ishte para godinës së Parlamentit. Protesta u zhvendos para Parlamentit, ku u regjistruan incidente të shumta. Protestuesit u përplasën fizikisht edhe me forcat e rendit, duke u përpjekur për të çarë kordonin e policisë të krijuar përpara derës kryesore të godinës së Kuvendit. Situata ka përshkallëzuar, pasi i njëjti u ndoq i njëjti skenarë si para Kryeministrisë, me molotovë, bomba e fishekzjarrë janë hedhur drejt Parlamentit, teksa efektivët i janë përgjigjur me ujë dhe gaz lotsjellës.
Sipas njoftimit zyrtar të policisë së Tiranës, bëhet me dije se 21 persona janë ndaluar për dhunën gjatë protestës mbrëmë, ndërsa 19 efektivë janë shtruar në spital, pas lëndimeve që kanë marrë. Mes protestuesve të arrestuar, 7 janë të mitur. Nën hetim për këtë tubim janë vendosur pesë anëtarë të Partisë Demokratike, Sekretari Organizativ Ervin Minarolli, si dhe katër deputetët Flamur Noka, Belind Këlliçi, Luçiano Boçi dhe Klevis Balliu./ZËRI
