
TIRANË – I penduari i krimeve që dyshohet se i ka kryer grupi i Laert Haxhiut, Artan Tafani, është shprehur se vrasjen e Elton Mermalit e ka kryer së bashku me Lulzim Spahiun, njohur ndryshe si ‘Arapi’, me urdhër të Laert Haxhiut.
Gazetari Elton Qyno shkruan për Ora News se Tafani ka thënë përpara grupit të hetuesve se vrasjen e Memalit e kërkonte Laert Haxhiu, për hakmarrje. Kjo sepse Elton Mermali kishte qenë pjesë e bandës së Aldo Bares më 1998, ai kishte marrë pjesë në vrasjen e Bledar Haxhiut dhe Artan Sulçes, në zonën e njohur si “Plastmasi” në Lushnjë.
Sipas bashkëpunëtorit të drejtësisë, Haxhiu ka kërkuar disa herë duke insistuar që vrasja e Mermalit të bëhet në muajin tetor, për shkak se në këtë muaj, ishte vrarë nga Mermali dhe kushëriri i Haxhiut në Lushnjë.
Bledar Haxhiu dhe Artan Sulçe janë ekzektuar më 23 tetor 1998, kur po udhëtonin të dy me fouristradë. Ata janë vrarë me kallashnikovë nga Petrit Liçi, Erjon Kashari dhe Elton Mermali. Pasi këta tre shtetas kanë qëlluar në drejtim të kushëririt të Laert Haxhiut dhe mikut të tij, për t’i dhënë plumbin e sigurisë, janë afruar drejt viktimave shtetasit Edjan Xhafaj dhe Dritan Vila.
Kjo vrasje e ndodhur 23 vjet më parë duket se nuk ishte harruar nga Laert Haxhiu. Ai ka dhënë porosinë që të eliminohej fizikisht Mermali dhe këtë urdhër e ka pasur për dy vrasësit e grupit të tij, Artan Tafanin dhe Lulzim Spahiun. Artan Tafani ka thënë se për këtë vrasje nuk ka marrë asnjë lekë, por se e ka kryer si nder.
“Ne kishim dijeni se Mermali kishte dalë nga burgu dhe pinte heroinë me disa djem të lagjes, por edhe me mua. Atë ditë kam qenë i veshur me një bokser jelek ngjyrë të zezë. Mermalin e njihja herët dhe ai ishte përdorues i heroinës. Duke pasur informacion që ai kërkonte të pinte heroinë, e kam gënjyer duke i thënë se në një vend kam fshehur heroinë, të shkojmë ta marrim dhe ta pimë.
Mermali ka pranuar dhe në mbrëmjen e 13 qershorit 2021 kam shkuar me makinë tek lagjja e tij. Ai sapo më ka parë, ka hipur vetë në makinë dhe më pas jam drejtuar drejt rrugës që del nga Lushnja. Atë mbrëmje me vete kam marrë dhe Lulzim Arapin, që ishte pjesë e planit të bërë me Laert Haxhiun. Kemi shkuar në Peqin dhe buzë një muri jemi drejtuar tek disa ferra, duke e gënjyer Mermalin se aty ndodhej heroina. E gjitha ka qenë një mashtrim.
Në kërkime për të gjetur heroinën, është përfshirë dhe vetë Mermali, i cili sapo ka ulur kokën për të parë nëse kishte heroinë, e kam qëlluar me plumb pas koke. Një plumb në kokë dhe dy në trup, për t’u siguruar që ai kishte vdekur. Më pas jemi larguar, duke lënë trupin e tij aty mes ferrave, ndërsa pas ngjarjes kemi njoftuar Laert Haxhiun” - ka treguar bashkëpunëtori i Prokurorisë, Tafani.
Për këtë vrasje, Prokuroria ka lëshuar urdhër-arrest për Laert Haxhiun, Lulzim Spahinë dhe Artan Tafanin. Ndaj tre persona është ngritur akuza e “Vrasjes me paramendim” kryer në bashkëpunim dhe “Mbajtja pa leje e armëve”./Zëri.ai/