Aktualitet

Ndryshon ligji për mjekësinë! Pas vendimit të Kushtetueses, qeveria ul afatet e punësimit

Tashmë studenët nuk do të duhet të punojnë për 5 vite brenda Shqipërisë, në mënyrë që t'u jepet diploma. 

f.t
Ndryshon ligji për mjekësinë! Pas vendimit të Kushtetueses,
studentët e mjekësisë në protestë

TIRANË-Pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese Qeveria ka ndryshuar projektligjin për studentët që ndjekin degën mjekësi e përgjithshme në institucionet e arsimit të lartë publik. Gjykata Kushtetuese vendosi më 25 janar që të shfuqizonte pjesërisht ligjin për studentët e Mjekësisë. Tashmë studenët nuk mund të detyrohen që të punojnë për 5 vite brenda Shqipërisë, në mënyrë që t'u jepet diploma. 

Drafti i hedhur për konsultim shkurton afatet e punësimit në Shqipëri për mjekët e rinj nga pesë në tre vjet për studentët e vitit të parë, për studentët e vitit të dytë deri në të katërt nga tre në dy vjet, për studentët e vitit të pestë dhe të gjashtë kjo periudhë zbret në 1 vit. Ndryshimet në ligjin e hedhur për konsultim, zgjidhin edhe boshllëkun që sipas Gjykatës Kushtetuese kishte ligji, për studentët që shteti nuk i punëson brenda vitit pas përfundimit të studimeve.

'Në rastet kur punësimi nuk realizohet brenda 3 (tre) muajve, për shkaqe që nuk varen nga mjeku, deri në krijimin e mundësisë për punësim në institucionet shëndetësore publike, për një periudhë deri në 9 (nëntë) muaj, mjekut i lind e drejta të trajtohet me 80% të pagës së mjekut të përgjithshëm në kujdesin parësor, për një periudhë jo më të gjatë se ky afat, ose të zgjedhë të punësohet në institucionet shëndetësore jo publike në vend, duke njoftuar ministrinë përgjegjëse për shëndetësinë, si dhe duke ruajtur të drejtën për punësim prioritar brenda periudhës 9 (nëntë) mujore në institucionet shëndetësore publike.”-thuhet në draft.

Ky projektligj parashikohet të zbatohet për një periudhë katër vjeçare dhe të nisë veprimin në vitin akademik 2023 – 2024 deri në atë 2027-2028.

Ligji për studentët e mjekësisë kaloi në kuvend më 21 korrik 2023. Çështja u dërgua në Gjykatën Kushtetuese nga një grup deputetësh të Partisë Demokratike, pas qëndresës së vazhdueshme që bënë studentët e Mjekësisë. Gjykata u ka dhënë përkohësisht të drejtë studentëve, të cilët bojkotuan rreth një muaj vitin e ri akademik 2023-2024./ZËRI

Poll

MOS HUMB