
VLORË- Policia e Vlorës ka vënë në pranga Luan Llanajn, i cili ishte shpallur në kërkim për kultivim droge në Spanjë. Arrestimi i tij është bërë në fshatin Bishan, pasi Gjykata e Bacelonës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Spanjës.
NJOFTIMI I POLICISË: Si rezultat i inteligjencës policore, kapet në Vlorë dhe arrestohet provizorisht, një shtetas shqiptar i kërkuar ndërkombëtarisht nga Spanja, për kultivim të bimëve narkotike.
Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, si dhe pas shkëmbimit të informacioneve ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit, për vendndodhjen e një shtetasi të shpallur në kërkim për llogari të Spanjës, shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, në bashkëpunim me shërbimet e njësisë së specializuar FAST Albania, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Cooperation”.
Si rezultat i operacionit u lokalizua në fshatin Bishan, u kap dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Spanjë, shtetasi L. Ll., 47 vjeç.
47-vjeçari ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Bacelonës i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, sipas parashikimeve të Kodit Penal të Spanjës.
Interpol Tirana vijon të bashkëpunojë me partnerët spanjollë, për ekstradimin e shtetasit L. Ll.