
PRISHTINË- Dy nga serbët e arrestuar për sulmin terrorist ndaj Policisë së Kosovës, janë dërguar në Gjykatë, për t’u njohur me masën e sigurisë. Seanca ka nisur rreth orës 10, ndërkohë që përpara Gjykatës ka pasur masa të shtuara sigurie, për shkak të ndjeshmërisë së aksionit policor në veri që u zhvillua të dielën.
Shtetasit serbë dyshohen për vepra penale kundër rendit kushtetutës në Kosovë, dhe Prokuroria Speciale ka kërkuar 30 ditë paraburgim.
“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), njofton opinionin publik se ka bërë një (1) kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj tre (3) personave V.T. B.S dhe D.M. për vepra të ndryshme penale. Prokuroria Speciale njofton opinionin se kërkesa është bërë kundër tre (3) të pandehurve për veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës, si dhe veprat penale “Veprat e rënda kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” nga neni 126, dhe “Kryerja e veprave terroriste” nga neni 129, lidhur me nenin 33 të Kodit nr.06/L-074 Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Kurse, mbrëmë i është caktuar masa prej 30 ditësh paraburgim njërit prej serbëve të arrestuar që ishte i plagosur. Seanca për të ishte mbajtur në QKUK.
“Gjyqtari i Procedurës Paraprake e ka aprovuar si të bazuar kërkesën e Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës për caktimin e masës së paraburgimit kundër të pandehurit V.T dhe të njëjtit i ka caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 1 (një) muaji. Masa e paraburgimit është caktuar në harmoni me nenin 182 të KPPRK-së dhe nenin 184 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1 e 1.2 pika 1.2.1, 1.2.2 dhe 1.2.3 dhe paragrafit 1.3 të KPPRK-së. Kundër këtij aktvendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit, përmes Gjykatës Themelore në Prishtinë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore të Prishtinës.
Policia e Kosovës ditën e djeshme ka prezantuar arsenalin masiv të armëve që i është gjetur grupit terrorist. Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë kanë bërë të ditur se në krye të grupit dyshohet të ketë qenë Milan Radojiçiç.
Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka thënë se Radojiçiç është i dyshuari kryesor për organizimin e këtij grupi terrorist. Kjo pasi në një nga veturat janë gjetur leje nga Serbia që ia kishte dhënë kriminelit Radojiçiqi për të përdorur disa armë.
-
6 serbë po mjekohen në Novi Sad, Sveçla: Na i dorëzoni kriminelët
25 Shtator, 15:05
“Në objektet brenda dhe në vetura janë gjetur harta e plane që tregojnë për organizimin e gjatë të mirëmenduar dhe bashkërenduar. Këto harta e dokumente janë dëshmi se nuk kemi të bëjmë me grupe lokale, por organizim terrorist të udhëzuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendorë e të huaj është konstatuar se për këtë organizim duhen përgatitje disa muaj. Pra nuk ka qenë diçka ad-hoc. Në këto materiale kemi gjetur dokumente të kriminelit Milan Radojiçiqi, që dëshmojnë lidhjen e tij dhe pjesëmarrjen në këtë aksion. Kjo është lista e armëve, apo leje zyrtare të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radojiçiq”, ka thënë Sveçla./Zëri.ai