Aktualitet

Një prej 50 më të kërkuarve në Shqipëri, momenti kur policia arreston Pjetër Pacanin, i gjenden armë dhe antiplumb

Në banesën ku u kap Pacani, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe 2 antiplumba.

E.K
Një prej 50 më të kërkuarve në Shqipëri, momenti
Pjeter Pacani, momenti i arrestimit

FIER- Policia ka publikuar pamjet dhe ka dhënë njoftimin zyrtar për arrestimin e një prej 50 njerëzve më të kërkuar në Shqipëri, Pjetër Pacani. Ky i fundit është i dënuar për vrasje të dyfishtë nga Gjykata e Tiranës me 25 vite burg në vitin 2014. Pacani ishte i listuar si një nga 50 personat më të kërkuar nga policia në vendin tonë. Ai akuzohet për vrasjen e Ndoc Zymajit dhe Vlash Gjeçit.

Në banesën ku u kap Pacani, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe 2 antiplumba.


NJOFTIMI I POLICISË:

Finalizohet nga Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, operacioni policor i koduar “Wanted”.

Lokalizohet, kapet dhe vihet në pranga një shtetas i shumëkërkuar, me rrezikshmëri të lartë shoqërore.

I shumëkërkuari, pjesë e listës me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit.

Ky shtetas është dënuar me 25 vjet burgim, për vrasjen e 2 shtetasve, në vitin 2011. 

Në banesën ku u kap në flagrancë, në Fier, Policia gjeti dhe sekustroi 4 armë zjarri, municion luftarak dhe antiplumb.  

Si rezultat i informacioneve të siguruara në kuadër të megaoperacionit “Sundimi i ligjit”, për vendndodhjen e shtetasve në kërkim, dhe i kontrolleve të kryera për kapjen e tyre, Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Wanted”, për kapjen e një shtetasi me rrezikshmëri të lartë shoqërore.   

Gjatë operacionit, u kap në një banesë në lagjen “1 Maji”, Fier, dhe u vu në pranga shtetasi:

Pjetër Pacani, 61 vjeç, lindur dhe banues në Fushë Kuqe, Laç.    

Në banesën ku u kap ky shtetas, u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 3 armë zjarri pistoleta (1 Glock, 1 Zastava dhe 1 TT), 1 armë zjarri automatik, municion luftarak, granatëhedhës dhe 2 antiplumba.     

Ky shtetas është përfshirë në listën me 50 shtetasit më të kërkuar nga Policia e Shtetit, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, në vitin 2014, e ka dënuar me 25 vjet burgim, për veprat penale “Vrasja në rrethana cilësuese” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, sepse më datë 18.01.2011, pranë një karburanti në aksin rrugor “Lezhë-Tiranë”, ka vrarë me armë zjarri 2 shtetas.  

Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Si ndodhi vrasja e dyfishtë

Pacani qëlloi për vdekje Ndoc Zymaj dhe Vlash Gjeçi. Ngjarja erdhi pas një konflikti që kishte si shkak moskthimin e një huaje. Biznesmeni nga Laçi i kishte marrë Ndoc Zymajt një shumë prej 100 mijë eurosh me anë të një kontrate. Por, biznesmeni Paçani nuk ishte treguar korrekt me afatin e caktuar. Për këtë arsye, biznesmeni dhe huadhënësi janë konfliktuar me anë të mesazheve telefonike, duke arritur deri në ofendime dhe sharje të rënda ndaj njëritjetrit. Pas bisedave dhe SMS-ve, Paçani ka lënë takim me Zymajt dhe Gjeçin.

Pikërisht në momentin kur dy personat e fundit prisnin kthimin e borxhit, Pacani i qëlloi për vdekje me pistoletë. Ngjarja ka ndodhur në autostradën Laç-Tiranë, në një lokal të quajtur “Exen”. Biznesmeni i firmës së betonit, në momentin që ka hyrë në lokal, ka qëlluar nga një distancë e afërt dy shokët e tij, duke iu drejtuar me fjalët: “Shani prapë nga nëna dhe motra”.

Vlash Gjeçi në momentet e fundit i është drejtuar shokut të tij me fjalët “na preu në besë”, gjë e cila është konfirmuar dhe nga dëshmitarët në gjyq. Në fund, Gjykata, ndonëse Prokuroria kërkoi dënim me burgim të përjetshëm, dha 25 vite heqje lirie për Pjetër Pacanin. Është dokumentuar gjatë hetimit se i pandehuri Pacani, për nevoja të biznesit të tij, i kishte marrë borxh me përqindje interesi një shumë financiare prej mbi 100 mijë eurosh, shumë e cila nuk është kthyer. Fakti i borxhit, sipas akuzës, provohet në disa mesazhe të zbuluara në telefonat e viktimave. Para ngjarjes së rëndë, mes biznesmenit dhe dy viktimave ka pasur sherr me SMS për shkak të moskthimit të borxhit.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB