
TIRANË- Micro Credit Albania, një prej institucioneve mikrofinanciare që operon si fantazëm në Tiranë vijon tu dërgojë mesazhe qytetarëve, përmes të cilave u kërkon borxhet e prapambetura.
Në inboxi-n e ZËRI-t, një qytetare ka treguar rastin e saj. Zonja në fjalë ka marrë një kredi tek Noa, të cilën e ka lënë pa paguar për tre vite rresht.
Më pas, portofoli i është shitur Micro Credit Albania, duke qenë se është klasifikuar si kredi e keqe. Dhe mesazhi i fundit që qytetarja në fjalë ka marrë nga Micro Credit Albania ka qenë më datë 4 mars të këtij viti, 2024.
“Micro Credit Albania ju sjell në vëmendje pagesën për këstin mujor. Faleminderit,”- shkruhet në mesazh.

Por si ka mundësi që ky institucion është ende aktiv, duke qenë se licensa i është pezulluar?
Banka e Shqipërisë ka vendosur të zgjasë edhe me 6 muaj të tjera pezullimin për subjektin financiar jobankë “Micro Credit Albania”, një vit pasi mori vendimin t’i pezullonte aktivitetin.
Kjo nënkupton se deri më 30 qershor 2024, “Micro Credit Albania” nuk do të mund ta ushtrojë aktivitetin e saj për të dhënë kredi, por dhe faktin që pavarësisht shkeljeve të gjetura dhe që sollën marrjen e këtij vendimi, Banka e Shqipërisë nuk është bindur ende që t’ia heqë përfundimisht licensën këti institucioni financiar.
“Micro Credit Albania” dhe si motrat e saj, “Consulting Company”, “Final”, “ADCA”, “ZIG”, “FLASH” e “FS” operojnë në Tiranë si fantazëm duke mos pasur një zyrë fizike ku qytetarët të shkojnë dhe të konsultohen apo ankohen pranë tyre. Ndërkohë dy pronarët e 'MCA' Elda dhe Olsi Ibro, ndodhen në arrati.
Pak ditë më parë, ZËRI shkoi në të gjitha adresat zyrtare të këtyre institucioneve dhe vërtetoi se zyrat e tyre nuk ekzistojnë.