
TIRANË- Disa ditë pas arrestimit të Roven Zekës, kunati i Ardian Çapjas, Enver Sinakoli ka ngritur një kallëzim ndaj tij në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Në kallëzimin e tij, Sinakoli shprehet se në Zela, në kohën kur ishte shef komisariati në Elbasan, në bashkëpunim me Ulian Shpatarakun, i cili është asistent i drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Edison Tabakun, dhe prokurorët, kanë manipuluar dy ngjarje ndaj djalit të tij dhe një të njohuri të të birit.
Në kallëzimin e tij, Sinakoli shprehet se Policia e Elbasanit dhe Prokuroria po i përndjekin me një ngjarje të sajuar pothuajse prej 1 viti e 9 muajsh.
Episodi i parë:
Në kallëzim, Sinakoloi pretedon se Usama Gashi ka bërë kallëzim të rremë ndaj djalit tij, i cili po udhëtonte me bashkëshorten e tij në një makinë dhe në tjetrën ishte shoku i tij, Marlen Goxhaj, po me bashkëshorten e tij, e cila ishte shtatzëne. Kallëzuesi ka pretenduar se nga automjeti është qëlluar me armë, por në vendin e ngjarjes, nga këqyrja e parë që u bë në kohën e kallëzimit, nuk u gjet asnjë gëzhojë nga oficeri i parë gjyqësor, ku i pranishëm në këqyrje ka qenë vetë Roven Zeka.
Por oficeri i dytë, Edison Tabaku 14 orë pas ngjarjes, i cili sipas Sinakolit nuk kishte urdhër prokurori ka përpiluar një procesverbal sikur ishin gjetur gëzhoja në vendngjarje duke spostuar dhe ndryshuar vendin e ngjarjes.
Sinakoli pretendon se “në rastin konkret, provohet që ngjarja është e manipuluar nga Policia e cila ka përdorur oficerin e policisë gjyqësore Edison Tabaku për të inskenuar gjetjen e gëzhojave, pasi nga aktet nuk rezulton asnjë e dhënë se përse Tabaku ka vajtur për të kqyrur vendin e ngjarjes 14 orë pas kqyrjes që kishte bërë oficeri tjetër”.
Episodi i dytë:
Më tej, ai pretendon se është manipuluar edhe një ngjarje tjetër e ndodhur më 19 shtator të 2023, ku protagonist ka qenë Marlen Goxhaj, shoku i djalit të tij. Në këtë ngjarje, thuhet se Policia i ka kërkuar Goxhajt të ndalojë, por ky i fundit ka refuzuar.
Enver Sinakoli pretendon se policia ka manipuluar dhe ngjarjen e ndodhur me datë 19 shtator 2023, ku protagonist është Marlen Goxhaj, shoku i djalit të tij.
“E vërteta është ndryshe. Më datë 19.09.2023 rreth orër 15:33, shtetasi Marlen Goxhaj del nga pallati ku banojnë prindërit e tij, i quajtur pallati kinez, tek ish-konservimi në afërsi të parkut Rinia në Elbasan duke u drejtuar për tek automjeti i tij automjeti tip benz me targë AB385KU ngjyrë e zezë, pasi hipën në makinë për të dalë nga parkimi, në sfond në krye të rrugës shafqet një BMË X5 e bardhë me xhama të zinj dhe një Range Rover i Bardhë me Xhama të Zinjë, të cilat i bllokojnë rrugën e daljes. I frikësuar dhe duke parë dy automjete luksoze me xhama të zinj, Marlen Goxhaj ikën mbrapsh në mënyrë që ti shmangej dy automjeteve që i bllokuan rrugën. Da automjetet luksoze i vihen nga pas dhe e ndjekin në distancë. Nga pamjet Filmike, duket qartë që automjetet janë makina luksoze civile pa asnjë shenjë dalluese që janë policia e shtetit, pa fenelina dhe nga makinat nuk kanë zbritur asnjë person apo punonjës police apo individ me uniformë të policisë, që të bënte të mundur që Marlen Goxhaj të kuptonte që ishte policia. Marlen Goxhaj është trembur dhe është ndjerë i kërcënuar nga bllokimi i rrugës që i bën këto automjete luksoze, të cilët e kanë ndjekur nga pas deri në lagjen 6, Emin Matraxhiu por pa iu afruar, çka i ka mundësuar Marlenit të parkojë mankinë në një rrugicë buzë përroit të zaranikës pranë Hotel Universit dhe të largohet. I ndjerë i kërcënuar dhe i friksuar duke mos ditur kush ishin personat që po e ndiqnin, ka njoftuar avokatin që të njoftonte Policinë lidhur me atë çfarë i kishte ndodhur”, shkruan Sinakoli në kallëzim.
Enver Sinakoli është babai i Ardit Sinakolit, i cili mbeti i vrarë në masakrën e 3 shkurtit të vitit 2016, ndaj anëtarë të familjes Çapja, ku humbën jetën dhe dy persona të tjerë, ndërsa disa të tjerë u plagosën./ZËRI