
TIRANË- Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi përmes një deklarate njofton se ka bërë një kallëzim penal në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) dhe në Prokurorinë e Tiranës, kundër Ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë, Ilir Proda, Drejtorit të Drejtorisë Vendore Tiranë, Elton Alushi dhe zyrtarëve të tjerë të Policisë së Shtetit. Bardhi ka ngritur një padi ndaj tyre pasi penguan tubimin, ushtruan dhunë dhe konsumuan 6 vepra penale.
Sipas padisë së ngritur janë evidentuar faktet dhe provat që dëshmojnë se tubimi i njoftuar nga Partia Demokratike ishte tërësisht i ligjshëm, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe se pengimi nga Policia e Shtetit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal.
“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, përmes Kryetarit Gazment Bardhi ka kallzuar në SPAK dhe Prokurorinë e Tiranës Ministrin e Brendshëm, Drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Drejtorin e Drejtorisë Vendore Tiranë, dhe zyrtarë të tjerë të Policisë së Shtetit, për kryerjen e veprave penale “Dëmtime të tjera me dashje”, “Shpërdorimi i detyrës”, “Kryerja e veprimeve arbitrare”, “Mosmarrja e masave për të ndërprerë gjendjen e paligjshme”, “Shkelja e barazisë së shtetasve”, “Pengim në ushtrimin e të drejtës për t’u shprehur, grumbulluar apo manifestuar”, të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 25, 90, 248, 250, 251, 253 dhe 261 të Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë.
Në kallëzim janë evidentuar faktet dhe provat që dëshmojnë se tubimi i njoftuar nga Partia Demokratike ishte tërësisht i ligjshëm, si një e drejtë që garantohet nga Kushtetuta dhe se pengimi nga Policia e Shtetit ishte i kundërligjshëm dhe kriminal. Dhuna e ushtruar ndaj deputetëve, zyrtarëve politik të opozitës dhe qytetarëve, ka qenë e motivuar politikisht dhe një akt i rëndë kriminal i kryer në bashkëpunim nga zyrtarët e policisë së Shtetit.
Bashkëlidhur do të gjeni kallëzimin e plotë të dorëzuar sot në dy Prokurori nga kreu i Grupit Parlamentar të PD Gazment Bardhi”, thuhet në njoftim.
Pesë akset kryesore të Tiranës u bllokuan për rreth tre orë, pas tubimit të organizuar nga opozita një ditë më parë (23 dhjetor). Protesta u shoqërua me tensione dhe përplasje mes efektivëve të policisë dhe protestuesve. Përplasje fizike pati edhe mes deputetëve dhe forcave policore, ku deputeti Flamur Noka qëlloi e shtyu shefin e komisariatit nr.1, Robert Losha. Një incident ndodhi edhe me deputetin Xhelal Mziu i cili u shfaq me dorën e gjakosur, duke pretenduar se një polic e gjuajti me skafandë.Ndërkohë nënkryetari i PD, Agron Gjekmarkaj humbi ndjenjat gjatë protestës. Gjekmarkaj para ngjarjes deklaroi se është dhunuar nga policia gjatë protestës. /ZËRI