
TIRANË- 1 prilli në Kuvend u prit me dorëzimin e një kërkesë nga socialistët. Në ditën e gënjeshtrave, kërkuan ngritjen e një Komisioni të Posaçëm Parlamentar për dezinformimin dhe ndikimin rus dhe kinez në mediat e vendit tonë. Sipas objektit të parashtruar në kërkesë, Komisioni i Posaçëm do të ketë për synim që të identifikojë ndërhyrjen e huaj në median shqiptare, tradicionale dhe jo vetëm. Menjëherë pas publikimit të nismës, "Balkan Investigative Reporting Netëork" (BIRN) publikoi një shënim, me autorësi të gazetarit Gjergj Erebara, i cili shprehu qëndrimin e tij për Komisionin socialist.
Në shkrimin e tij, Erebara liston disa arsye se përse ngritja e këtij Komisioni mban "erë". Pikë së pari, ironizon me shpejtësinë që kërkohet të ngrihet ky Komision.
"Kur i lexon këto informacione, të duket sikur Shqipëria është qendra e botës, sikur shërbimet sekrete ruse dhe kineze na kanë halë në sy dhe po punojnë çdo ditë për të destabilizuar Shqipërinë dhe për të dëmtuar qeverinë."
Më pas, liston problemet e vërteta që kanë mediat në Shqipëri, ndoshta më emergjente se ndonjë fushatë dizinformimi ruse, kineze apo e ndonjë vendi tjetër.
Sipas tij, në këtë mjedis mediatik ka nevojë për pavarësi, larmishmëri, kushte të sigurta dhe 0 ndërhyrje, si nga politika, ashtu edhe nga faktorë të tjerë. Nëse plotësohen këto kushte, mund të kalohet shqetësimi tek dezinformimi. Por gjithashtu nuk lë pa përmendur edhe faktin që kjo nuk është hera e parë që maxhoranca tenton që të ndërhyrë në media. E as kësaj herë nuk është mohuar, pasi Bledi Çuçi tha se gjatë punimeve të Komisionit mund të shihen edhe shqetësime të tjera. Pra është e hapur mundësia për të ndërhyrë më shumë në ligjin për media.
"Me pak fjalë, kushdo që e kupton se si funksionon disinformimi, edhe në rast se do të dëshironte të bënte një fushatë dizinformimi në Shqipëri, do ta kishte të vështirë që të gjente ndasi sociale për të galvanizuar përmes informacioneve të rreme të shpërndara nëpër internet. Problemi që kanë socialistët në një nismë të tillë është, gjithashtu, reputacional. Qeverisja socialiste ka ndërmarrë një pafundësi nismash negative për lirinë e shprehjes kështu që, çdo nismë e saj në këtë fushë duhet të prezumohet fajtore që në fillim dhe pastaj në fund të shikohet nëse është e pafajshme. Dhe pastaj është problemi tjetër që asnjë nga deputetët e listës së propozuesve, nuk ka shprehur ndonjëherë ndonjë shqetësim në lidhje me lirinë e medias.Dhe mbi të gjitha, duke parë natyrën sistemike të korrupsionit qeveritar, (muaji mars i këtij viti ka gjasa do të shënohet në histori si pika e kthesës, me një ministër të akuzuar krahas drejtorit të rrugëve dhe tetë drejtorëve të Bashkisë Tiranë) nisma “kundër dizinformimit” ngjan asgjë më shumë se sa një tentativë dizinformuese, një përpjekje e dobët për të tërhequr vëmendjen nga korrupsioni sistemik,"-shkruan ndër të tjera Erebara.
Përgjigjen e vetme artikullit të publikuar nga BIRN, ia dha Baton Haxhiu, botues dhe gazetar, i njohur në publik për qëndrimin e tij pro-qeverisë (edhe vetë asnjëherë nuk e ka fshehur se është një mik i afërt i kryeministrit Edi Rama). Në një editorial të shkruar prej tij, Baton Haxhiu, ndryshe nga Erebara, thekson se nuk ka rëndësi sa e madhe është Shqipëria, thelbi është që duhet luftuar dezinformimi.
"Shqipëria në fakt mund të jetë një arenë e vogël, për shkak edhe të elementeve gjeografikë dhe demografikë, por kjo nuk e bën Shqipërinë më pak të rëndësishme. Shqipëria është vend anëtar i NATO-s, dhe një vend që është rreshtuar në tërësi në përpjekjet kundër agresionit rus në Ukrainë. Shqipëria është rreshtuar po ashtu në tërësi në përpjekjet për të parandaluar rritjen e ndikimit rus në Evropë. Ndaj, sado e vogël të jetë Shqipëria, në këtë luftë nuk është faktor i parëndësishëm."
Por teksa liston argumentat pro këtij ligji që pritet të votohet, që sipas tij është pjesë e pashmangshme e vetërregullimit, Haxhiu nuk përmend asnjë problematikë tjetër me të cilat hasen mediat në Shqipëri. Por e mbyll me fjalinë se shqiptarët të paktën, sado periferikë, e kanë të drejtën e tyre të informimit.
"Mbi të gjitha duhet të kenë edhe garancinë e luftës ndaj dezinformimit."
Për këtë fjali, Erebara e thotë shumë qartë se aktualisht, mediat nuk zotohen dot as për atë që ndodh në Shqipëri, jo më nga ndikimi rus dhe kinez./ZËRI