Aktualitet

Rrumbullaku porosi policëve: Silluni mirë me turistët, çdo shkelje etike do ndëshkohet! Me ju, do mbajnë përgjegjësi edhe drejtuesit

Me në fokus fluksin e turistëve, Rrumbullaku ka kërkuar nga uniformat blut në të gjithë vendin që të përmirësojnë shërbimet në terren për të përballuar numrin e shtuar të vizitorëve që presim gjatë kësij sezonit.

k.m.
Rrumbullaku porosi policëve: Silluni mirë me turistët, çdo
Muhamet Rrumbullaku

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku ka mbledhur në një takim strukturat drejtuese të 12 drejtorive vendore në qarqe për t'u dhënë disa porosi lidhur me mbarëvajtjen e sezonit turistik. Me në fokus fluksin e turistëve, Rrumbullaku ka kërkuar nga uniformat blut në të gjithë vendin që të përmirësojnë shërbimet në terren për të përballuar numrin e shtuar të vizitorëve që presim gjatë kësij sezonit. Por, "një sy" e ka kërkuar edhe për të parandaluar ngjarjet kriminale që nuk janë të pazakonta në sezonin e verës. 

Theks të veçantë ka vendosur edhe tek etika e komunikimit, duke u lënë porosi të qartë policëve, se çdo shkelje gjatë kontaktit me turistët, do të marrë ndëshkim, por jo vetëm kaq, ajo do të shkojë përtej përgjegjësi individuale. Kjo duke iu referuar rastit më të fundit, ku një punonjës i Policisë së Lezhës, i cili i kërkoi një shtetase gjermane gjatë kohës që ishte në krye të detyrës, që ta shtonte në rrjetet e saj sociale.

“Çdo shkelje e etikës nga punonjësit e policisë, në kontakt me turistët, nuk do të trajtohet vetëm si një përgjegjësi individuale, por edhe si një përgjegjësi e drejtuesve përkatës. Policia e Shtetit nuk është një strukturë për vendosjen e gjobave dhe vjeljen e tyre, por është në shërbim të qytetarëve, vendas dhe të huaj, duke dëshmuar etikë dhe profesionalizëm. Këshillimi dhe ndihma për qytetarët duhet të jenë parësore në punën e punonjësit të policisë,”- është shprehur Muhamet Rrumbullaku.

Kështu, për të përballuar gjithë këtë fluks turistësh që pritet në vend, të gjithë efektivët në mbarë vendin, nuk do të kenë pushime verore dhe do të duhet që të qëndrojnë në krye të detyrës çdo ditë për 12 orë. E gjitha për t'u shërbyer turistëve që këtë vit pritet që të kapin shifrën e 15 milionëve./ZËRI

Poll

MOS HUMB