Aktualitet

Sa na kushton "Air Albania" dhe zogjtë plangprishës?

Me denoncimet që sa vijnë e shtohen, duket se e vetmja zgjidhje për udhëtarët është zgjidhja e alternativave të tjera të udhëtimit.

k.m.
Sa na kushton "Air Albania" dhe zogjtë plangprishës?
Foto ilustruese

TIRANË- “Air Albania” dhe korrektesa nuk shkojnë bashkë në një fjali. Prej vitesh, por së fundmi edhe më shumë, kompania shqiptare e fluturimeve nuk e njeh këtë term, duke braktisur prej ditësh dhe orësh, pasagjerët nëpër aeroportet e Europës. Me denoncimet që sa vijnë e shtohen, duket se e vetmja zgjidhje për udhëtarët është zgjidhja e alternativave të tjera të udhëtimit. Mesa duket “të huajt” janë më të favorshëm për qytetarët shqiptarë që udhëtojnë jashtë territorit. Por mosrespeketimi i orareve nuk nuk është i vetmi problem që ka pasur ndër vite kompania. Në nëntor të vitit që lamë pas, u raportua se kompania ishte vendosur në sekuestro për shkak të borxheve të papaguara. Një shkresë e depozituar nga zyra përmbarimore "Bailiff Services Albania" në Qendrën Kombëtare të Biznesit ka zbuluar se është vendosur masa e sekuestros mbi aksionet e Air Albania, me qëllim mostjetërsimin e tyre deri në shlyerjen e borxheve. Por edhe sot, ende nuk dihet sesa është shuma e borxheve që i ka kompania shtetit shqiptar.

“Në bazë të nenit 517 të Kodit të Procedurës Civile, kompanisë i është komunikuar njoftimi për ekzekutimin vullnetar. Duke qenë se nga ana e palës debitore nuk është kryer asnjë veprim dhe duke qenë se afati ligjor i ekzekutimit vullnetar ka përfunduar, ekzekutimi i titullit ka kaluar në ekzekutim të detyrueshëm. Në këto kushte urdhërojmë vendosjen e sekuestros konservative mbi aksionet e palës debitore si dhe mbi të drejtat që rrjedhin nga zotërimi i tyre,”-thuhet në urdhërin e lëshuar.

Nga ana tjetër vetë kompania reagoi në rrjetet sociale, duke u shprehur se nuk kanë asnjë problem financiar, por ngërçi është midis "Air Albania" dhe palëve të treta. 

""Pastrojmë" pak ajrin nga lajmet e rreme: Financat tona janë të sigurta dhe bashkë bëhemi gati për sezonin e festave. Air Albania qartëson opinionin publik se gjendja financiare e kompanisë është e shëndetshme dhe çdo raportim ndryshe është ekzagjermi i një procedure private mes kompanisë dhe palëve të treta; praktikë e shpeshte në aktivitetet tregtare. Mbetemi të angazhuar për destinacione të reja, oferta të dedikuara dhe përvojë sa më komode udhëtimi, për tregun vendas dhe më gjerë,"-shkruante kompania në Facebook. 

Por pavarësisht pretendimeve, vendimi është lëshuar nga Qendra Kombëtare e Biznesit prej datës 14 nëntor 2023, ndaj edhe kompania është përkohësisht e “ngrirë” nga ana juridike.  Por ky nuk ka qenë problemi i parë që kompania ka me Qendrën Kombëtare të Biznesit. Më 7 Shtator 2022 u kthye sërish aktive në QKB, pasi ishte me statusin 'aktivitet i pezulluar' me pretendimin se nuk i kishte deklaruar pronarët. Sipas ligjit, mosregjistrimi fillestar i të dhënave për pronarin përfitues të tij brenda 40 (dyzet) ditësh pas përfundimit të afatit të përcaktuar dënohet me gjobë në vlerën 600 000 (gjashtëqind mijë) lekësh të reja.

Sa na kushton "Air Albania" dhe zogjtë plangprishës?

Duke qenë se “Air Albania” u krijua në vitin 2018, si një kompani kombëtare e fluturimeve, ku shteti, përmes “Albcontrol” ka 10% të aksioneve, “MDN INVESTIMENT”, e krijuar po në vitin 2018, ka 41% të kuotave dhe “TÜRK HAVA YOLLARI A.O.” (Turkish Airlines)) 49% të aksioneve. Nga pala shqiptare, përveç Albcontrol, aksionere të “MDN INVESTIMENT”, me nga 50% secila janë Najada Idrizi dhe Rejana Idrizi, sipas ekstraktit në QKB, të cilat i morën gradualisht aksionet nga Sinan Idrizi dhe Ron Yeffet përgjatë vitit 2018. Po të njëjtin vit, më 1 gusht 2018, “MDN Investment” njoftoi shitjen që kishte bërë më korrik, ku kishte pranuar paratë për 77% të aksioneve. Nuk kishte asnjë surprizë! Aksionet mbetën brenda familjes! 23% i mori ortaku turk, Ron Yeffet ndërkohë që nga 27 për qind kanë kaluar në emrat e Najada dhe Reajana Idrizi.  Vetë Sinan Idrizi mori thjesht postin e administratorit.

Por për shkak të borxheve të papaguara, u vendos sekuestro mbi kuotat është vendosur për llogari të Sinan Isik, ish numrit 2 të Air Albania, i cili  ka mbajtur postin e zëvendësdrejtorit të përgjithshëm të Air Albania nga gushti i vitit 2018 deri në fund të vitit 2022. Nuk dihet se sa është shuma e borxheve që Air Albania ka ndaj Isik, por në urdhrin e sekuestrimit të aksioneve thuhet se kompania nuk ka paguar detyrimin e përcaktuar në ligj, ndaj edhe është ‘ndëshkuar’.

Gjendja financiare e Air Albania, një kompani ku 10 për qind e aksioneve zotërohen nga shteti shqiptar, mbetet e panjohur për publikun është ende e paqartë. Akoma edhe sot nuk është e shpjeguar se përse u zgjodh si ortak një kompani pa përvojë direkte në fushën e fluturimeve ajrore. Sinan Idrizi, një biznesmen nga Vlora është President i ekipit të futbollit të Flamurtarit dhe vetëm kaq. Nga ana tjetër, edhe “Albcontrol” është agjenci shteterore  që menaxhon dhe kontrollon hapësirën ajrore Shqiptare (FIR), pra nuk ka asnjë lidhje me botën e fluturimeve komerciale, për të cilën mund të kërkohet llogari. E po ashtu, asnjë ligj nuk e parashikon që Albcontrol të bëjë investime fitimprurese në kompani. E gjithë pra është varur nga pala turke që mesa duket nuk po i jep përparësi të paktën as udhëtimit të paracaktuar të qytetarëve. Sesa është dëmi që shkakton kjo kompani nuk dihet, por një gjë është e qartë. Pasojat i mbajnë qytetarët, të cilët me shumë gjasa do të vazhdojnë që të enden aeroporteve të Europës./ZËRI

Poll

MOS HUMB