Aktualitet

Seanca për Saraivën, avokati: Nuk ka prova të mjaftueshme, t’i japim kohë kohës

Seanca e radhës për masën e sigurisë do të mbahet në datën 20 Mars

E.K
Seanca për Saraivën, avokati: Nuk ka prova të mjaftueshme,
Ruben Saraiva

LEZHË- Është mbajtur sot në Gjykatën e Lezhës, seanca në ngarkim të portugezit Ruben Saraiva, i dyshuar për atentatin ndaj Adrian Nikulajt që ka ndodhur në Prill të vitit të kaluar. Mbrojtja e tij ka kërkuar lehtësimin e masës së sigurisë, me pretendimin se ngjarja është ende nën hetim, dhe se nuk ka prova të mjaftueshme për implikimin e tij në vrasje.

Avokati mbrojtës i Saraivës, Kujtim Cakarani tha se është njohur me dosjen në ngarkim të klientit të tij, dhe provat e paraqitura janë të pamjaftueshme. Seanca e radhës do jetë sërish më datën 20 Mars ku do të jepet dhe vendimi për Ruben Saraivën, nëse do të vijojë të qëndrojë në burg, apo do të marrë një masë më të lehtë sigurie.

“Ne u njohëm njohëm me aktet e Prokurorisë, që ishte goxha fashikull dhe kemi caktuar datën 20 për të dhënë shpjegimet tona mbi masën e sigurisë. Ne si përfaqësues ligjor kërkojmë lehtësimin e masës së sigurisë në një tjetër masë më të butë, sepse ai është ende person nën hetim dhe si i tillë nuk e ka marrë akoma statusin e të pandehurit apo të dënuarit.

Në këto kushte jemi akoma në fazën hetimore ku prokuroria mendon se është ky personi që ka kryer vrasjen rreth një vit më parë në Shëngjin. Jemi në fazën hetimore dhe ne do të njihemi me aktet që i morën sot. Sot prokuroria ka sjellë fashikullin meqënse ajo mendon se ka administruar deri më sot. Ne nuk e dimë se çfarë prokuroria pretendon sepse nuk e kemi lexuar thjesht e kemi administruar. Më datën 20 do ta dimë përfundimisht nëse do të ketë një masë sigurie arrest me burg, apo një masë më të butë sikurse ne kemi kërkuar”– tha mbrojtja.

Vetë Saraiva ka kërkuar pafajësinë në Gjykatë, ndërkohë që Cakrani kërkoi respektimin e prezumimit të pafajësisë në ngarkim të klientit të tij.

“Hetimet i bën prokuroria jo policia. Nuk e di se nga Policia i ka gjetur këto prova të cilat ua paskërka vendosur në disponim ju gazetarëve dhe jo ne avokatëve. Duhet të jemi shumë të kujdesshëm me personat nën hetim apo të dyshuar për një vepër penale. Duhet t’u japim kohë. T’i lëmë kohë kohës, ti lëmë kohë organit të procedurës dhe hetimeve. Kur të merret vendimi i formës së prerë le ta quajmë fajtor”, vijoi më tej avokati në një komunikim me mediat pas seancës.

Vrasja e Nikulajt pasoi disa ngjarje të tjera kriminale të cilat janë ende pa autor. Në korrik të këtij viti në Balldre të Lezhës u ekzekutua Nikolin Lekstakaj, ndërsa më 4 dhjetor u ekzekutua me breshëri plumbash Etjan Nikulaj, djali i xhaxhait të Ardian Nikulaj, teksa po lëvizte me automjetin e tij fuoristradë ML në aksin rrugor Lezhë-Milot. Pista kryesore e hetimeve të këtyre ngjarjeve është ajo e gjakmarrjes mes fiseve Nikulaj dhe Lekstakaj.Ardian Nikulaj u ekzekutua brenda lokalit të tij në Shëngjin të Lezhës, kur portugezi Saraiva, me skafandër në kokë dhe i veshur me jelekë kamuflazhi, hyri dhe qëlloi disa herë me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB