
KOSOVË- Drejtori i Zyrës për Kosovën në Qeverinë Serbe, Petar Petkoviç, ka hedhur poshtë pretendimet e bëra nga qeveria e Kosovës se nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiç, gjendet në spitalin ushtarak në Beograd. Sipas tij ministri i Brendshëm i Kosovës Xhelal Sveçla ka mashtruar.
Pas sulmit terrorist ku mbeti i vrarë efektivi i Policisë së Kosovës Afrim Bunjaku dhe u plagosën dy kolegët e tij, Sveçla nxorri një video që sipas tij tregonte se mes 30 personave të grupit të armatosur ishte dhe Radoiçiç.
“Sveçla gënjeu se Millan Radoiçiq është shtrirë në spitalin ushtarak në Beograd”, tha Petkoviç.
Më 26 shtator, dy ditë pas sulmit në Banjskë trë Zveçanit, ministri Sveçla publikoi një video të filmuar me dron, ku shfaqej Radoiçiç i armatosur duke qëndruar në manastirin në Banjskë me një grup personash të armatosur dhe të veshur me uniforma ushtarake.
Në Serbi, vetëm ministri i Punëve të Jashtme, Ivica Daçiq, ka komentuar për këto pretendime, duke thënë se ajo video “duket” se nuk ishte incizuar në ditën kur ndodhi sulmi në veri të Kosovës.
“Nuk kam asnjë informacion nëse [Radoiçiqi] është në atë video apo jo, vërtetë nuk e di”, tha Daçiq për Radio Televizionin e Serbisë më 26 shtator.
Çfarë ndodhi në veri të Kosovës më 24 shtator
Në orët e para të mëngjesit të së dielës, Kosova u trondit nga një sulm në drejtim të punonjësve të policisë, ku u vra polici Afrim Bunjaku, dhe mbetën të lënduar dy kolegë të tij, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën. Ishte ora 02:34 e mëngjesit, kur një patrullë e policisë së Kosovës, vuri re se në hyrje të fshatit Banjskë, në urë, ishin vendosur si bllokadë dy kamionë pa targa, duke bllokuar në këtë mënyrë qarkullimin e mjeteve. Me mbërritjen në vendngjarje, efektivët e policisë së Kosovës janë përballur me rezistencë, ku nga disa pozicione të ndryshme ndaj tyre është qëlluar me armë dhe me granata dore, e për pasojë humbi jetën Bunjaku, dhe u lënduan dy kolegët e tij.
Pas ngjarjes mobilizimi i punonjësve të policisë ishte i menjëhershëm, ndërkohë që agresorët gjetën strehim brenda në Manastirin e Banjskës, ku u mbajtën të rrethuar nga policia, e 3 prej tyre u ekzekutuan fizikisht, ndërsa 6 të tjerëve iu vunë prangat.Kosova e ka shpallur ditën e sotme një ditë zie kombëtare në nderim të efektivit Bunjaku, i cili ra në krye të detyrës. Pikëpyetjet mbeten se cili ishte qëllimi i njësisë serbe të armatosur që qëlloi mbi policinë, ndërsa pritet dhe marrja në pyetje e personave të arrestuar brenda në Manastir./Zëri.ai