
SPANJË – Tensione ka pasur në Gjykatën e O’Porrinos në Spanjë, pas daljes në gjyq për caktimin e masës së sigurisë për 30-vjeçarin shqiptar Florian Rama. Ky i fundit akuzohet se ka vrarë me thikë marokenin Soufian Mhara, 24 vjeç, ngjarje e ndodhur më 2019.
Florian Rama u arrestua në Britaninë e Madhe dhe u ekstradua në Spanjë, ku po përballet me akuzën e vrasjes. Shqiptari, që mbërriti me një furgon në gjykatë, ka shfrytëzuar të drejtën e tij, për të mos dëshmuar përpara trupës gjykuese. Teksa Florian Rama po hynte në sallën e gjyqit, familjarë dhe miq të marokenit shpërthyen kundër tij, duke e quajtur ‘vrasës’. Përpara gjykatës kishte tensione, ndërsa të afërmit e Mhara kërkuan drejtësi.
Motra e viktimës, Siham tha se falënderon punën e hetuesve. Ajo tha se ka 4 vite që pret që të vihet drejtësia për vëllanë e saj. Siham shtoi se shqiptari është një njeri shumë i rrezikshëm, duke thënë se dyshohet se ai merrej me trafik droge.
Marokeni Soufian u godit tre herë me thikë nga shqiptari, njëra prej të cilave rezultoi fatale. Sherri ndodhi brenda një lokali. Autori u largua pas ngjarjes, ndërsa Garda Civile fillimisht arrestoi një tjetër person për krimin e rëndë. Por, pas hetimeve rezultoi se Florian Rama ishte personi që ka qëlluar me thikë mbi marokenin. Pavarësisht veprimeve të autoriteteve, familja e marokenit beson se në vrasja ka gisht edhe një tjetër person. Motra e Soufian tha se nuk beson se krimi i rëndë është banal, por shtoi se ka qenë një krim i mirëorganizuar, pasi marokeni është vrarë, pasi është thirrur “për disa sqarime”.
Florian Rama vrau me thikë më 2019 në një bar në Spanjë, marokenin Soufian Mhara. Rama ishte arratisur në Britaninë e Madhe dhe u ekstradua në shtetin spanjoll. Tashmë pritet një vendim nga drejtësia për të./ZËRI/