
DURRËS- Është shtyrë seanca ndaj ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, i cili ndodhet në arrest shtëpie. Shkak u bë mungesa e një prej avokatëve të të dyshuarve, i cili i kishte sjellë kërkesë. Gjithashtu mungoi edhe aktekspertimi që është kërkuar nga gjykata ndaj SPAK për projektin e promenades.
Gjyqtarja e Flojera Davidhi, i kërkoi SPAK të realizonte aktekspertimin për procedurën e prokurimit të shërbimit konsulencë për projektin e Promenadës Bregdetare dhe Plazhin publik nga Bërryli deri në Currila, për të cilën pretendon se iu rrit vlera me dhjetëfish duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 18 milionë lekësh.
GJKKO caktoi ndaj tij më 27 shkurt masën e sigurisë “arrest shtëpie” për ish-kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako. Ish-kryebashkiaku i Durrësit Vangjush Dako u arrestua me urdhër të SPAK më datë 6 qershor 2023. Në pranga, përpos tij, u vunë edhe 8 ish-zyrtarë në Bashkinë e Durrësit dhe një ndërtues. Ndaj Dakos rëndon akuza e shpërdorimit të detyrës në dy raste. Njëra akuzë është për lejen e ndërtimit e dhënë përpara 11 vitesh dhe tjetra për një tender të vitit 2014-2015, për ndërtimin e një shëtitoreje në zonën bregdetare, që i ka shkaktuar buxhetit të shtetit një dëm 18 milionë lekë./ZËRI