Aktualitet

SPAK "merr në duar" skandalin tek “Onkologjiku”, shton edhe “korrupsionin”/ Do rishikohen masat e sigurisë

SPAK i ka dorëzuar një ditë më parë Gjykatës së Posaçme kërkesën për verifikim kushtesh për masat e sigurisë të caktuara ndaj 7 personave që janë vendosur nën hetim nga Prokuroria e Tiranës.

k.m.
SPAK "merr në duar" skandalin tek “Onkologjiku”,
Foto ilustruese

TIRANË- Skandali i zbuluar në spitalin Onkologjik do të hetohet nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. SPAK i ka dorëzuar një ditë më parë Gjykatës së Posaçme kërkesën për verifikim kushtesh për masat e sigurisë të caktuara ndaj 7 personave që janë vendosur nën hetim nga Prokuroria e Tiranës. Hetimet do të zhvillohen për tre vepra penale: “kontrabandë ilaçesh”, “shpërdorim detyre” dhe “korrupsion”. Dy veprat e para penale ishin ngritur edhe nga Prokuroria e Tiranës, por SPAK ka shtuar edhe akuzën e korrupsionit për të akuzuarit.

Në SPAK, dosja është marrë në dorëzim nga hetuesi Elvin Gokaj, i cili ka dhënë urdhër që të hetohen edhe disa farmaci që dyshohet se kanë kryer kontrabandë ilaçesh. Megjithatë deri më tani nuk dihet se për cilat farmaci bëhet fjalë. Disa prej tyre kanë dalë edhe në hetimin e Prokurorisë së Tiranës, por ndaj tyre nuk është ngritur asnjë akuzë. Të gjithë të akuzuarit janë personel mjekësor, e po ashtu, mungojnë drejtuesit e tyre. Por me urdhër të prokurorit Gokaj, brenda 10 ditëve do të rishikohen edhe masat e sigurisë të vendosura nga Gjykata e Shkallës së Parë të Tiranës.

Aktualisht vetëm mjeku Edmond Gashi, Halil Gashi dhe farmacisti Florian Marku u lanë në masën e sigurisë “Arrest shtëpie”, ndërkohë, mjekja Alketa Pere, zv.drejtoresha e QSUT Brikena Qirjazi dhe koordinatori Emiljano Lela, u lanë në masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”.

Mjekët e punësuar në spitalin shtetëror "Nënë Tereza", kanë shpërdoruar detyrat, duke mos iu dhënë qytetarëve, shërbimin e nevojshëm në spitalin shtetëror, por duke i orientuar ata në spitale private, për të marrë shërbimet që kërkonin. Në spitalin “Nënë Tereza” ka qenë i vendosur dhe burimi i kobaltit që shërbente për radioterapinë, i cili nuk vihej në punë dhe ishte jashtë standardeve, duke u kthyer në një burim rreziku për pacientët. Gjatë hetimit, është bërë e mundur që ky burim të zhvendoset në vendin e përcaktuar. Në kuadër të këtij procedimi është ushtruar kontroll në disa subjekte farmaceutike ku janë sekuestruar një sasi e konsiderueshme mallrash të dyshuara të kontrabanduara dhe të falsifikuara, shuma 10 000 euro, si dhe një klinikë mjekësore. Aktualisht, me urdhër të Drejtorisë së Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” mjekët dhe koordinatori i spitalit të Onkologjikut janë pezulluar nga detyra deri në përfundim të hetimeve./ZËRI

Poll

MOS HUMB