Aktualitet

SPAK mori në dorë hetimet për 21 Janarin, thirren për të dëshmuar bashkëshortja dhe xhaxhai i Aleks Nikës

Nga vrasja e katër demonstruesve në bulevard drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre, të Ziver Veizaj dhe Faik Myrtaj, ndërsa mbeten ende pa autor vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës

E.K
SPAK mori në dorë hetimet për 21 Janarin, thirren për
Bashkeshortja e Aleks Nikes

TIRANË- Një ditë pasi njoftoi zyrtarisht nisjen e hetimeve për 21 Janarin, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsonit dhe Krimit të Organizuar, ka thirrur për të marrë në pyetje familjarët e Aleks Nikës, një prej 4 viktimave që mbetën të vrarë para kryeministrisë. SPAK ka thirrur për të marrë në pyetje në datën 22 Korrik, bashkëshorten dhe xhaxhanë e Aleks Nikës, të cilët do të paraqiten në orare të ndryshme. Ata do të merren në pyetje, si persona që kanë dijeni për hetimin, ndërsa pritet që të dorëzojnë në Prokurorinë e Posaçme dhe një audipërgjim të ditës së tragjedisë, ku garda merr komando në radio, për shkrepjen e armëve. Pas disa vitesh në procese gjyqësore, Gjykata e Lartë pranoi pak ditë më parë padinë e Rajmonda Nikës, për rihapjen e hetimeve nga ana e SPAK.

Pavarësisht se në denoncimin e familjarëve përmendet ish-kryeministri Sali Berisha, ish-ministri i brendshëm Lulzim Basha dhe ish-komandanti i gardës Ndrea Prendi, SPAK e regjistroi çështjen pa emrat e tyre. SPAK e ka regjistruar procedimin për vrasje në rrethana cilësuese, si dhe shpërdorim detyre kryer në bashkëpunim, dhe akuza e tretë është ajo e veprimeve që pengojnë zbulimin e të vërtetës. Sipas Prokurorisë së Posaçme, këto vepra penale dyshohet se janë kryer nga funksionarë shtetërore, gjatë ushtrimit të detyrës. Gjykata e Lartë në vendimin e saj, tha se SPAK është prokuroria që ka kompetencë për kryerjen e hetimeve ndaj funksionarëve shtetërorë, dhe jo Prokuroria e Tiranës, e cila nuk kishte mundur që të konkludonte hetimet.

Si Gjykata e Lartë edhe SPAK përmendin në argumentet e tyre, vendimin e Gjykatës Europiane që në nëntor 2023 tha se nuk ishte zbardhur përgjegjësia e mundshme e zinxhirit komandues të Gardës.

Në këtë vendim të Strasburgut ku u tregua se shteti kishte dështuar për ta hetuar demonstratën e 21 janarit 2011 thuhet se hetimi ishte ishte përqendruar në përgjegjësinë individuale të oficerëve të Gardës dhe jo në sekuencën apo natyrën e urdhrave që mund të ishin dhënë nga zinxhiri komandues.

Si probleme të tjera u numëruan fshirja e regjistrimeve të incidentit dhe mos ndjekja e pistave kyçe të hetimit si shenjat e plumbave të gjetura në lartësinë e njeriut në gardhin e hekurt që rrethon Kryeministrinë.

Këto mangësi ngritën dyshimin se autoritetet ishin përpjekur ta devijonin apo të ndërhynin në hetim – konsideroi Strasburgu. Nga vrasja e katër demonstruesve në bulevard drejtësia ka zbardhur vetëm dy prej tyre, të Ziver Veizaj dhe Faik Myrtaj, ndërsa mbeten ende pa autor vrasja e Aleks Nikës dhe Hekuran Dedës. Por të gjithë familjarët e katër viktimave kërkojnë që tanimë hetimit të zbulojë edhe funksionarët që urdhëruan për t’u qëlluar me armë zjarri./ZËRI

Poll

MOS HUMB