
TIRANË- Në seancën e sotme të Komisionit Hetimor për koncensionet në Shëndetësi u mor në pyetje edhe biznesmeni Ilir Rrapaj, ortaku i tij italian Umbro Staccini, të dy partnerët kryesorë të ‘SaniService’ dhe ish-ministrja e Ekonomisë dhe Financave, aktualisht e Bujqësisë, Anila Denaj. Rrapaj ndodhej në burg prej 16 gushtit, pasi akuzohet se ka mashtruar për aktivitetin e kompanisë, fitimin e saj si dhe për miqësinë e tij me ish-zëvendësministrin e Shëndetësisë Klodian Rrjepaj dhe ish-ministrin e Shëndetësisë Ilir Beqja.
Rrapaj mori leje nga Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të dhënë dëshminë e tij para Komisionit Hetimor. Ndërsa, Denaj është thirrur pasi në kohën që është dhënë koncensioni ka mbajtur postin e kreut të Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Teksa kryente detyrën dhe ishte njohur me koncensionin, Denaj nuk ka qenë dakord për çmimet e sterilizimit dhe madje ka depozituar edhe një ankesë.
Rrapaj gjatë dëshmisë së tij, mohoi të ketë pasur lidhje me ish-ministrin e Shëndetësisë, Beqajn. Sa i takon hapjes së garës për koncesionin e sterilizimit e kishte mësuar nga ortaku i tij Umberto Staccini.
“E kam njohur si personazh publik. Nuk kishim miqësi as më para, as më gjatë, as më vonë. E kam takuar në të njëjtin aktivitet që kam takuar edhe zv.ministrin. Ishin mbi 400 pjesëmarrës”, tha Rrapaj
Ai tha se edhe nëse Beqaj nuk do të ishte ministër, sërish do të kishte fituar koncesionin, pasi kompania e tij është me 5 yjë.
“100% po plus edhe TVSH. Kompania “Sani Service” ka në zemrën e saj një lider ndërkombëtar. Më zgjodhi mua për të qenë pjesë e kësaj historie me 5 yje. Ju e quajtët 5M unë e quaj me 5 Yje. Mendoj që po, absolutisht po”, theksoi ai.
Ndërsa ish-zëvendës ministrin Klodian Rrepaj, ai e njeh tani, pasi siç u shpreh, ata ndajnë të njëjtën “rezidencë”.
“Deri në gusht 2024 kisha dijeni se kush dhe çfarë ishte. Kam kaq muaj që ndaj të njëjtën 'rezidencë' dhe tani mund të them se e njoh. Fjala mik ka një përkufizim të veçantë. Të jesh mik është diçka e rrallë, por fatkeqësisht kam bindjen që ky term është termi më i abuzuar. Nuk kam pasur asnjëlloj miqësie dhe njohje me të. Përkundrazi më etiketojnë me njohje të thellë me të. Udhëtimi im është totalisht i ndryshëm dhe i largët nga zotëria në fjalë”, u shpreh ai.
Ai po ashtu ka pranuar se njeh dhe kryeministrin Edi Rama pasi e ka takuar në një aktivitet politik si pjesë e delegacionit të Umbrias. Ai po ashtu shprehet se edhe Beqaj e ka takuar vetëm në ambiente zyrtare.
“Edhe për personazhet e lartcituar, e njoh nëpërmjet aktivitetit politik. E kam njohur në të njëjtin aktivitet. Aty e kam takuar fizikisht. Ky është momenti i parë. E kam takuar edhe në një ose dy takime të tjera, si pjesë e delegacionit të Umbrias. Beqajn e kam takuar vetëm në ambiente zyrtare”, tha Rrapaj.
I pyetur nga deputetja e Partisë Demokratike Ina Zhupa në lidhje me një pagesë prej 180 milionë lekë të marra nga koncesioni i sterilizimit. Rrapaj tha se iu është përgjigjur njëherë kësaj pyetjeje dhe u shpreh se ka prej orës 7 të mëngjesit në komision dhe ka pirë vetëm një gotë ujë deri më tani.
“E dhashë më lart përgjigjen, s’gjej dot ndonjë alternativë, edhe pse po shtrëngohem në këto orë të vonë të pasdites. Kam, që në 7 të mëngjesit kam pirë vetëm një gotë ujë. Por ajo është përgjigje dhe e tillë ngele. Është një vendimmarrje kolegjiale për ta adresuar në personin tim fizik një përgjegjësi të kësaj natyre që e kam përmbushu besoj me sukses të plotë. Asnjë veprim i karakterit financiar nuk është larguar apo ka patur të mundur që të anashkalojë udhëzimet që vinin nga statusi i kompanisë”, përfundoi ai.
Komisioni Hetimor të Kuvendit për Sterilizimin dhe Check-Up në shëndetësi u ngrit pas një marrëveshjeje të arritur nga Partia Socialiste me atë demokratike. Por të dyja këto koncensione janë nën hetim nga SPAK. I pari, ai i Sterilizimit, ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim janë edhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja dhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Këto koncensione në Shëndetësi kanë ngritur pikëpyetje për korrupsion dhe abuzime.
Madje dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar ka ngritur vazhdimisht pikëpyetje duke i konsideruar ato si një përdorim “joefikas” i fondeve publike. Po ashtu, edhe opozita ka ngritur herë pas herë akuza se koncensionet kanë qenë abuzim i pastër me paratë e buxhetit të shtetit. Aktualisht, Beqaj është në burg pasi akuzohet se ka abuzuar me fondet e BE-së, por po hetohet edhe për koncensionet në Shëndetësi. Megjithatë, ndërsa hetimet vazhdojnë, deri më tani për të nuk është ngritur asnjë akuzë zyrtare nga ana e SPAK. /ZËRI