
KORÇË- Të shtëna me armë zjarri në Korçë. Raportohet se Igli Hoti, 33 vjeç është plagosur me armë zjarri në këmbë ndërsa në person tjetër, i identifikuar si Artan Qershori ka mbetur i plagosur me mjete të forta. Të dy janë dërguar në spitalin e Traumës në kryeqytet pas ndihmës së parë të ofruar në Korçë.
Konflikti u regjistrua në orët e para të mëngjesit të kësaj të dielë. Fillimisht dyshohet se personat janë konfliktuar në ambientet e brendshme të një lokali në "Lagjen nr.3", më pas janë përplasur në ambientet jashtë lokalit. Shkak për sherrin dyshohet jetë bërë bllokimi i rrugës. Raportohet se gjatë përplasjes që autorët dhe të plagosurit kanë pasur jashtë lokalit, njëri është dëgjuar të thote: “Pse më ke bllokuara rrugën”.
Por jo gjithçka mbeti aty, pasi autorët në gjendje të dehur i kanë zënë pritë makinës së të plagosurve dhe kanë qëlluar, ku Hoti mori plumb në këmbë, ndërsa Qershori u godit me sende të forta në trup.
Policia bën me dije se i ka identifikuar autorët e ngjarjes dhe është vënë në ndjekje të tyre. Në lidhje me ngjarjen është ngritur një grup hetimor që po punon për zbardhjen e saj.
NJOFTIMI I POLICISË:
U konfliktuan për motive të dobëta, ku si pasojë e konfliktit mbeti i plagosur me armë zjarri një 33-vjeçar dhe u dëmtua me mjete të forta një shtetas tjetër, Policia identifikon menjëherë autorët e dyshuar të ngjarjes dhe vijon punën për kapjen e tyre. Në orët e para të mëngjesit të sotëm, në lagjen nr. 3, Korçë, si pasojë e një konflikti për motive të dobëta, midis disa personave, të nisur më herët në ambientet e një lokali dhe më pas jashtë ambienteve të tij, ka mbetur i plagosur në këmbë me armë zjarri shtetasi I. H., 33 vjeç dhe i dëmtuar me mjete të forta shtetasi A. Q., të cilët u dërguan për mjekim në spitalin e Traumës Tiranë. Shërbimet e Policisë, kanë shoqëruar në ambientin e Komisariatit dhe po marrin në pyetje, persona të cilët kanë dijeni për ngjarjen. Si rezultat i veprimeve të para hetimore u bë i mundur identifikimi i autorëve të dyshuar të kësaj ngjarjeje dhe po punohet intensivisht për kapjen e tyre. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI