Aktualitet

“Të zhdukim me acid”/ Si u mor peng dhe u dhunua Ilir Topçiu nga grupi i “Duçes”: Ma fiku cigaren në ballë dhe...

Katër autorët e ngjarjes, Altin Nallbati, alias “Duçja”, vëllai i deputetit të PD, Bledjon Nallbati, dhe dy persona të tjerë, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, ndodhen në burg për akuzat e “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Kanosjes”, të kryera në bashkëpunim.

zh.ll
“Të zhdukim me acid”/ Si u mor peng dhe u dhunua Ilir
Alti Nallbati, Marsel Buçi, dhe deputeti Bledian Nallbati

DEVOLL- Është zbardhur dosja penale e ngjarjes së ndodhur në fund të muajit tetor në Bilisht, ku Ilir Topçiu u mor peng dhe më pas u dhunua brutalisht. Katër autorët e ngjarjes, Altin Nallbati, alias “Duçja”, vëllai i deputetit të PD, Bledjon Nallbati, dhe dy persona të tjerë, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, ndodhen në burg për akuzat e “Heqjes së paligjshme të lirisë”, “Plagosjes së lehtë me dashje” dhe “Kanosjes”, të kryera në bashkëpunim.

Më datë 4 nëntor 2025, gjyqtarja e Korçës, Elena Tafa, vendosi caktimin e masës së “arrestit me burg” me afat 40-ditor. Tashmë janë bërë 30 ditë nga arrestimi i të akuzuarve, të cilët po mbahen në paraburgimin e Drenovës. Mësohet se avokatët dhe familjarët e të arrestuarve kanë nisur negociatat e pajtimit me denoncuesin e dhunuar, Ilir Topçiu. Ata i kanë kërkuar të tërheqë kallëzimin penale dhe njëherësh të firmosë një deklaratë noteriale për normalizimin e marëdhënies me 3 personat e arrestuar.

Por, çfarë u bë shkak për pengmarrjen nga ana të dyshuarëve? Sipas dosjes, Nallbati, Buçi dhe Çeliku kishin dyshime se Ilir Topçiu, i kishte tradhtuar duke spiunuar tek shefi i krimeve në komisariatin e Bilishtit, duke çuar në arrestimin në fshatin Braçanj të Ylli Xhaçkës, i cili drejtonte mjetin pa patentë.

Aty ka nisur gjithçka...Trajan Çeliku, ka shkuar në fshatin Vishocicë duke e marrë me makinë Ilir Topçiun, me preteksin se do e ballafaqonte me shefin e krimeve të policisë. Por, ky rezulton të ishte një kurth, pasi në fakt Topçiu është dërguar në magazinën e Altin Nallbatit. Ky i fundit konsiderohet nga policia e Korçës si personazh që drejton një grupim personazh të cilët kryejnë trafikim të klandestinëve Sirianë, trafikun e drogës në kufirin e Gjelbër me Greqinë dhe shpërndarjen dhe tregtinë e drogës në këtë zonë.

Nga dhuna brutale, Topçiut i ka rënë të fikët. Para togave të zeza, ai ka rrëfyer detajet e ngjarjes, teksa tregon se Marsel Buçi i ka fikur cigaren në ballë dhe e ka kërcënuar me fjalët se: “…do e vriste, do e zhdukte me acid…”.

Dëmtimet e tij në trup janë vërtetuar edhe nga kryerja e ekspertimit mjeko-ligjor ndaj të dëmtuarit Ilir Topçiu. Mjekët kanë dalë në përfundimin se:

“…tek i dëmtuari konstatohet një (1) hematomë e syrit, ekimoza në kokë, gjoks,bark, dy (2) plagë combustioni (diegie) në ballë e spostuar paksa djathtas me karakteristikat e përshkruara në akt. Këto dëmtime janë shkaktuar me mjet të fortë (1) mbretes, (2) me mjet. Me energji të lartë me mundësinë më të madhe cigare e ndezur…”. 

Sipas dosjes hetimore të siguruar rezulton se në 30 tetor 2025, rreth orës 22:50, Ilir Topçiu ka bërë denoncimin, ku ka deklaruar për marrjen e telefonatës, ballafaqimi e deri te dhuna që ushtruan ndaj tij. Sipas dëshmisë, skena e dhunës ka zgjatur për rreth 10 minuta, ndërsa tregon emrat e autorëve. 

“…ditën e diel ose ditën e hënë, mesa mbaj mend më ka marrë një shoku im në telefon në messenger, i cili quhet Trajan Çeliku. Gjatë bisedës më ka thënë që ti je spiun pasi na ke shitur informacion tek shefi i krimeve në Komisariatin e Bilishtit, për shtetasin Ylli Xhaxhçka i cili është proceduar penalisht pasi ka drejtuar automjetin pa leje drejtimi. Pas bisedës më thotë dil te sheshi i fshatit për tu sqaruar bashkë me shefin e policisë…Trajan Çeliku, ka ardhur dhe më ka marrë me makinë për të më ballafaquar me shefin e Krimeve. Edhe gjatë qëndrimit në makinë kemi diskutuar punën e spiunimit. Mirëpo më ka mashtruar, pasi nuk më çoi tek policia (tek shefi) por më dërgon me makinë tek lagjia që ndodhet mbrapa karburant “Gega Oil”, ku u futëm me makinë në ambientet e brendshme të shtetasit Altin Nallbati alias “Duçja”. Aty brenda ndalon makinën dhe unë zbres. Sapo zbres Altin Nallbati, menjëherë më ka goditur me grusht dhe me ka thënë ofendime të rënda, duke më goditur me shkelma pa fund…”.

Pjesë nga dëshmia: “…në momentin që po më godisnin nuk po ndjehesha mirë. Mu errën sytë dhe isha pa ndjenja pasi kisha dhimbje të mëdha. Mesa mbaj mend këto shkelma dhe grushta kanë zgjatur rreth 10 minuta pasi unë nuk po mbushesha me frymë. Kur mora pak veten pashë Marselin, i cili po pinte cigare dhe cigaren ma ka vendosur në ballë, duke ma fikur atë. Ky moment ishte një tmerr i vërtetë. Më pas, Marsel Buçi, më është drejtuar duke më thënë: “…ik qërohu nga këtu…”. Herë tjetër do të të djeg me acid, nuk ke shpëtim. Unë duke çaluar dhe me dhimbje të mëdha nga frika e kërcënimeve me jetë që mora nga këta persona, u nisa në këmbë në shtëpinë që kam në fshat dhe nuk kam folur me asnjë person për tre ditë. Për shkak të frikës se mos më vrasin nuk e kam kallëzuar më parë këtë ngjarje. Në momentin që jam goditur të pranishëm kanë qenë Altin Nallbati që njihet me pseudonimin “Duçja” dhe dy shokët e tij, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku. Të tre këta pesona i njoh pasi kam ndenjur me ta në disa raste. Theksoj se Trajani më ka marrë duke më gënjyer, Marseli më ka goditur dhe më kanë sharë dhe ofenduar, duke më fikur cigaren në ballë. Të tre këta shtetas si “Duçja”, Marsel Buçi dhe Trajan Çeliku, më kanë rrahur, kërcënuar në ambjentet e biznesit të Altin Nallbatit."

Nëna e Ilir Topçiut është marrë gjithashtu në pyetje për ngjarjen. Shtetasja Lefterije Topçiu ka deklaruar për gjendjen e djalit të saj pas ngjarjes dhe shenjat e dhunës në trup. 

“…rreth pasdites flas me djalin tim Ilir Topçiu për ti thënë që hajde hamë bukë. Ai mu përgjigj që nuk dua të ha. Kur u afrova në dhomën e tij pashë që kishte të nxirë syrin e djathtë. I thashë se çfarë ka ndodhur por nuk po më tregonte. Pas kësaj rreth darkës erdhi policia dhe djali më tregoi që të gjitha. Ai më tregoi edhe për shenjat që kishte në trup. Këto ditë djali nuk ka qenë mirë, rrinte shtrirë në krevat dhe mezi merrte frymë por më thoshte që nuk kam asgjë. Kam marrë vesh që djalin kanë ardhur dhe e kanë marrë në shtëpi, e kanë dërguar në Bilisht dhe e kanë rrahur. Kam frikë se mos ma vrasin djalin. Ai nuk ka bërë asnjë faj…”. 

Ngjarja u raportua mbrëmjen e 31 tetorit, ndërsa kishte mësohet se kishte ndodhur më datë 27 tetor, në Devoll. Alti Nallbati, vëllai i deputetit Bledion Nallbati, Marsel Buci dhe Trajan Çeliku, kanë marrë peng Ilir Topçiu, i cili ndodhej në 'arrest shtëpi' dhe e kanë keqtrajtuar në mjediset e banesës së njërit prej tyre. Policia njoftoi arrestimin e tyre, teksa bëri me dije se ndaj Alti Nallbatit dhe Çelikut rëndon akuza e heqjes së paligjshme të lirisë dhe kanosje, ndërsa ndaj Buçit rëndon edhe akuza e plagosjes së lehtë me dashje.  

Kujtojmë se Albi Nallbati, vëllai i deputetit demokrati, Bledion Nallbati, u përfshi edhe në një tjetër incident gjatë fushatës zgjedhore 2025. Incidenti ndodhi mbrëmjen e 3 majit, ku deputeti i PD Bledion Nallbati dhe vëllai i tij, Alti Nallbati u konfliktuan me një shofer kamioni. Shkak i konfliktit u bë një aksident, i cili nuk ndodhi./ZËRI

Poll

MOS HUMB