Aktualitet

Të zhytur në kredi e pa shtëpi, kush mban përgjegjësi për zjarrin tek ish-Parku

Zëri.ai shkoi sot dhe takoi nga afër banorët që jetonin në katet e mëposhtme që gjithashtu u përfshinë nga flakët dhe nga dje janë në mes të rrugës. Në momentin kur i takuam, ata ishin duke u larguar me valixhe në duar. 

Florida Mingla
Të zhytur në kredi e pa shtëpi, kush mban përgjegjësi
Zjarri te ish-Parku

TIRANË- U deshën më shumë se tre orë luftë me flakët në mënyrë që zjarri i aktivizuar në pallatin 10-katësh pranë ish-Parkut të Autobusëve, në rrugën ‘Sali Butka’, të izolohej. Gjithçka nisi në orën 14:20, ditë e enjte, (14 shtator), kur pamjet e para tregonin se dy katet e fundit të pallatit ishin përfshirë nga zjarri. Me mbërritjen e forcave të zjarrfikëses dhe të Policisë së Shtetit nisi evakuimi i banorëve, duke shmangur kështu dëmet në njerëz.

Tashmë situata është normalizuar, por të gjithë ata që u është shkrumbuar banesa gjenden mes pikëpyetjeve se ku do t’i kalojnë netët në vijim.

A ka një plan strehimi të përkohshëm për ta?

Zëri.ai shkoi sot dhe takoi nga afër banorët që jetonin në katet e mëposhtme që gjithashtu u përfshinë nga flakët dhe nga dje janë në mes të rrugës. Në momentin kur i takuam, ata ishin duke u larguar me valixhe në duar. 

Endri Madhi, babai i një fëmije të mitur 1 vjeç, i cili banonte në apartamentin me numër 89, teksa fuste çantat me rroba në bagazhin e makinës, tha se do të zhvendosej në shtëpinë e prindërve.

“Do iki tek prindërit, kam një djalë 1 vjeç. Nuk na ka kontaktuar askush për dëmet, as nga Bashkia Tiranë dhe as nga kompania që ka marrë përsipër sigurimin e detyrueshëm të banesave,”- u shpreh Madhi për Zëri.ai.

Por a i mbulon kjo policë sigurimi dëmet e shkaktuara nga zjarri? Ne takuam disa gra, banore të pallatit ku ra zjarri që shprehën zemërim me befasinë që iu ka ndodhur. 

“Nuk na i mbulon kostot, të gjitha do t’i mbulojmë vetë,”- u shpreh njëra nga banoret, duke pasur dëshirën të mbetej anonime.

Ne kemi folur, kemi kontaktuar dhe me një arkitekt dhe na tha se pallatet janë koaluduar duke qenë se e kanë përdorur pjesën kapot që ua kushtëzon bashkia me qëllim kursimin e energjisë, por materiali nuk është cilësor. Kanë përdorur material të lirë. E kemi parë si shkrihej si rrëshirë,”- vijon ajo më tej për Zëri.ai.

“Do ikim të gjithë tek familjaret. Bashkia s’ka ofruar asnjë plan strehimi,”- shton banorja kur pyetet se ku do të qëndrojë deri në ristrukturimin e banesës.

“I kemi blerë të gjithë me kredi. Ende s’kemi shlyer kredinë, tani na doli kjo. Asnjë përfaqësues i firmës nuk ka ardhur,”- vijon një banore tjetër.

Zëri siguroi edhe një policë sigurimi nga banorët të cilët deklarojnë se kjo kontratë është e përgjithshme për të gjithë pronarët e apartamenteve. Nga leximi rezulton se dëmet e shkaktuara nga zjarri nuk mbulohen dot nga kompania, që nënkupton qartë se çdo kompesim përjashton këtë rast, duke ia faturuar zhdëmtimin vetë "viktimave" në apartamentet e djegura, edhe pse nuk kanë lidhje me shkakun pse ra flaka në katet e mësipërme. 

Përmbajtja e dokumentit:

Të zhytur në kredi e pa shtëpi, kush mban përgjegjësi
Dokumenti

Dëmshperblimin e humbjeve dhe dëmeve të pësuara nga Përfituesi si dhe ato të palëve të treta për të cilët ai mbahet përgjegjës, me vërtetimin e ngjarjes së siguruar, kur për shkak të tokes ose defekt të ndërtimit, shembet tërësisht ose pjesërisht, ose paraqet rrezik të dukshëm shembjeje ose defekte të tjera të renda, që shfaqen pas lidhjes së kontratës së kalimit të pronësisë që rezulton me pasoja në:
-Dëme materiale, në pasurinë e transferuar apo kaluar Përfituesit (blerësi i pasurisë së paluajtshme) nga i Siguruari.
- Sendeve apo personave të palëve te treta, që nënkupton dëmtime fizike, dëmtime trupore ose vdekje ose shkatërrim të pronës në zotërim të çdo personi ose enti që nuk është palë në këtë kontratë (dëme në sende), të shkaktuar nga ngjarja aksidentale si pasojë e shembjes tërësore apo të pjesshme të objektit të siguruar ndërtimor.

Zëri.ai kontaktoi me Bashkinë Tiranë dhe ndërtuesit e pallatit, kompania 'T.B.M Contruksion 2016' me aksioner Tanush Mëhillaj e Armando Pajtoni, për tu dhënë përgjigje disa prej pyetjeve që kërkojnë të marrin përgjigje. Por deri në publikimin e këtij artikulli, nuk kemi marrë një sqarim.

A kanë një përgjigje institucionet për këta banorë? Si do të vijohet me ta? A u morën të gjitha masat gjatë ndërtimit që të tilla ngjarje të evitonin përhapjen në masë të flakëve?/Zëri

Poll

MOS HUMB