
DURRËS- Një ngjarje e rëndë ndodhi para bashkisë së Durrësit, ku një 58-vjeçare tentoi të vetëflijohet për shkak të gjendjes së vështirë ekonomike. Fatime Gashi i vuri zjarrin vetes me benzinë, por ndërhyrja e shpejtë e punonjësve të policisë bashkiake dhe kalimtarëve shmangu më të keqen. Ajo pësoi djegie në këmbë dhe duar, dhe pas trajtimit të parë në spitalin e Durrësit, u dërgua në Tiranë për kujdes të specializuar.
Fatime Gashi, e papunë dhe nënë e një djali 29-vjeçar po ashtu të papunë, jeton vetëm me një pension familjar prej 7,700 lekësh që përfiton pas vdekjes së bashkëshortit. Që nga viti 2021, ajo frekuentonte Qendrën Ditore të të Moshuarve, e cila administrohet nga Bashkia e Durrësit dhe ofronte një vakt ushqimi për të moshuarit. Megjithatë, qendra u mbyll për shkak të një procesi tenderimi për ushqimin, duke i lënë të moshuarit pa mbështetjen e përditshme.
Drejtoresha e Qendrës Ditore të të Moshuarve, Megi Hasani, shprehet se Gashi kishte kërkuar ndihmë në qendër që nga janari i vitit 2021, por nuk kishte shfaqur probleme të theksuara ekonomike apo të shëndetit mendor gjatë këshillimeve.
Akti i saj ka tronditur opinionin publik dhe ka nxjerrë në pah vështirësitë ekonomike me të cilat përballen shumë qytetarë të varfër në vend. Sipas autoriteteve, pensioni i vogël, pamundësia për të siguruar të ardhura dhe mbyllja e qendrës sociale janë faktorët kryesorë që e çuan 59-vjeçaren drejt këtij akti ekstrem.
Pas ngjarjes së rëndë, Bashkia e Durrësit premtoi se do të marr masa për të ndihmuar 59-vjeçaren të kapërcejë këtë situatë të vështirë./ ZËRI