
TIRANË- Mesazhet e "SkyECC" kanë hapur një tjetër dosje! Kësaj here dosja është për ngjarjen e përplasjes me armë zjarri në ish-Bllok mes Ervis Martinajt dhe Ervin Matës, ku mbeti i vrarë Fabiol Gaxha. Gazetari i “Ora News” Elton Qyno ka mësuar përmes burimeve brenda SPAK se janë hapur një seri kodesh të aplikacionit “SkyECC” që janë përdorur gjatë periudhës 2019-2021 nga protagonistët e këtij konflikti. Ndër to përmendim vetë tashmë të zhdukurin Ervis Martinaj, Ervin Matën, Marviol Bilon, Eldi Dizdarin, Fabiol Gaxhën, Gabiol Alushin, Eljo Haton, Geldo Hotin, etj.
Duke u bazuar tek i njëjti burim, gazetari shkruan se në aplikacion janë regjistruar disa biseda me punonjës të Policisë së Shtetit, prokurorë dhe gjyqtarë. Nga bisedat tregohet se janë dhënë mijëra euro për të mos arrestuar Marviol Bilon, i cili ishte shpallur në kërkim. Para janë dhënë edhe për t'i ndryshuar masën e sigurisë Ervis Martinajt, nga "arrest në burg” në "detyrim paraqitje". Tani, SPAK ka në duar telefonat e përdorur nga Martinaj, i cili ka pasur dy kode të aplikacionit “Sky”.
"Në kodin “NP8LS4” dhe një kod tjetër të përdorur prej tij, janë konstatuar një intesitet bisedash të zhvilluara me persona të tjerë, brenda rradhëve të policisë, e deri në gjykatë dhe prokurori, për kualifikuar akuzat penale ndaj të pandehurve. Për sigurim kushtesh për të kryer vrasje në këtë ngjarje është hetuar dhe i plagosuri Eljo Hato, që gjatë vitit 2020-2021 ka përdorur kodin “Sky” “TFQL4R”. Gjithashtu mjaft biseda për masakrën 4 Tetorit e ndodhur në ish-bllok SPAK, ka konstuar dhe tek kodi “GS4TDD” që i përket Ervin Matës. Ky i fundit, interesohej në mënyrë të drejtpërdrejtë që policia mos arrestonte bodigardin e tij, Marviol Bilo,"-shkruhet ndër të tjera në artikull.
Kështu, përmes ryfshetit, u ndryshua akuza për ish-komandon special Bilo, i cili u dënua vetëm me shërbim prove.
Vrasja në ish-Bllok, si u trondit zemra e kryeqytetit nga plumbat?
Mbrëmjen e 4 tetorit 2018, rreth orës 21:00, në lokalin “Monopol” mu në zemër të ish-bllokut, pati një përplasje me armë ku për pasojë mbeti i vrarë Fabjol Gaxha, ndërsa u plagosën Ervis Martinaj dhe shoku i tij Eljon Hato. Në kërkim u shpall Ervin Mata dhe Merviol Bilo. Mata u dorëzua dhe u la i lirë, ndërsa ende i paarrestuar ishte komandoja Merviol Bilo. Por me vendimin që të dënohej me shërbim prove, edhe ish-komandoja mund të lëvizë i lirë./ZËRI