Aktualitet

Ilir Beqaj kërkon mendim nga Gjykata: A të shkoj në Komisionin Hetimor për Sterilizimin, a rrezikon sekreti hetimor?

Gjatë seancës, ish-ministri Beqaj ngriti një pretendim që lidhej me thirrjen e tij për të dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar në fillim të tetorit, për çështjen e sterilizimit.

M.M
Ilir Beqaj kërkon mendim nga Gjykata: A të shkoj në Komisionin
Ilir Beqaj ne SPAK

TIRANË- Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) ka shtyrë për më 3 tetor, në orën 09:00, seancën ndaj ish-ministrit Ilir Beqaj dhe të pandehurve të tjerë lidhur me dosjen e “Sterilizimit”. Shkak për shtyrjen u bë tejzgjatja prej 4 orësh e seancës së sotme dhe pamundësia për të përfunduar leximin e akteve nga ana e SPAK-ut.

Gjatë seancës, ish-ministri Beqaj ngriti një pretendim që lidhej me thirrjen e tij për të dëshmuar në Komisionin Hetimor Parlamentar në fillim të tetorit, për çështjen e sterilizimit. Beqaj theksoi se përgatitja e dëshmisë së tij para deputetëve mund të jetë e komplikuar, për shkak të sekreteve hetimore të përfshira në dosjen gjyqësore ndaj ai kërkoi një mendim nga Gjykata.

“Jam thirrur në Komisionin Hetimor për të paraqitur pretendimet dhe për të dhënë sqarime para deputetëve. Një pjesë e akteve që do të diskutoj përbëjnë sekret hetimor dhe deklarimet e mia mund të përbëjnë shkelje të vendimit të gjykatës për mosnxjerrje të sekretit hetimor. Dua të di qëndrimin e gjykatës,” u shpreh Beqaj.

GJKKO i kërkoi mbrojtjes së Beqajt të paraqesë një kërkesë zyrtare në lidhje me pretendimet e tij, në mënyrë që gjykata të marrë një vendim për këtë çështje. Seanca paraprake për dosjen e “Sterilizimit” ka ngecur për shkak të dosjes voluminoze dhe kërkesës së mbrojtjes që SPAK të lexojë çdo akt në gjyq, duke ngadalësuar kështu procesin.

"Sterilizimi", ka sjellë deri më tani arrestimin dhe ngritjen e akuzave ndaj ish-zëvendësministrit të Shëndetësisë, Klodian Rrjepaj dhe biznesmenit Ilir Rrapaj. Nën hetim ishin edhe ish-ministri i Financave, Shkëlqim Cani dhe ish-ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja. Ky i fundit, ka përfunduar në pranga pasi ishte nën hetim për 1 vit, për abuzimin me fondet e BE, gjatë kohës kur drejtonte SASPAC. / ZËRI

Poll

MOS HUMB