
BRITANI E MADHE- Një trafikant droge shqiptar i cili u kthye në Mbretërinë e Bashkuar pasi u deportua është lejuar të qëndrojë në Britani pavarësisht se ka kryer krime të tjera. Stiljano Ziu u burgos për 9 muaj pasi u dënua për prodhim kanabisi, por u lirua para kohe me kusht që të pranonte të mos kthehej pasi të deportohej për në Shqipëri. Edhe pse kushtin e pranoi, shqiptari e shkeli deportimin dhe u rikthye në ishull pasi u martua me një shtetase greke, banuese në Mbretërinë e Bashkuar. Mbi bazën e martesës, ai kërkoi të drejtën për të qëndruar në Mbretërinë e Bashkuar.
Sipas "The Telegraph", ai tha në Gjykatë se nuk përbënte kërcënim për publikun. Por vetëm pak kohë më pas, ai u dënua sërish për trafik droge, që do të thotë se ai përballet me mundësinë e deportimit për herë të dytë.
Herën e parë, Ziu hyri në Mbretërinë e Bashkuar në mënyrë të paligjshme në vitin 2017 ose 2018. Në nëntor 2018, ai u dënua për prodhim kanabisi dhe u dënua me 9 muaj burgim. Ai u deportua muajin pasardhës. Megjithatë, ai hyri sërish ilegalisht në Britani në fillim të vitit 2019 dhe pak para Krishtlindjeve të vitit 2020, kur edhe aplikoi për leje qëndrimi si bashkëshorti i një shtetase greke. Ata u martuan në prill të vitit 2021.
Gjykata vendosi në favor të tij, por Home Office apeloi vendimin duke argumentuar se ai përbënte një “kërcënim të vërtetë, të pranishëm dhe mjaftueshëm serioz” për shoqërinë dhe se duhej deportuar nga vendi. Po ashtu, Home Office vuri në dukje se periudha e qëndrimit të Ziut në Mbretërinë e Bashkuar ishte e kufizuar dhe ai kishte filluar një marrëdhënie me gruan e tij duke shkelur urdhërin e dëbimit.
Teksa apelon kërkesën për t'u deportuar, Ziu po përballet në gjyq edhe me akuzat për prodhim dhe trafik droge, por gjykata tha se procesi nuk e skualifikonte automatikisht atë nga e drejta për të qëndruar, pasi ai mund të provohej i pafajshëm./ZËRI