
TIRANË- Dy të rinj janë vënë në prangat e policisë, në zonën e Kamzës, pasi kanë trafikuar drogë nga SHBA, përmes shërbimit postar. Policia ka sekuestruar 3.2 kilogramë kanabis të cilësisë së lartë, ndërsa në pranga janë vënë shtetasit Jurgest Luzi dhe Skënder Vata.
Sektori i Antidrogës zhvilloi operacionin “California”, pasi kishte informacione se dy të rinjtë ishin të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të drogës, ku dhe kishin porositur 3.2 kg kanabis të cilësisë së lartë.
Gjithashtu dyshohet se Vata dhe Luzi kanë futur dhe më herët përmes postës, lëndë narkotike te sasive të ndryshme. Mësohet se në krye të kësaj bskieme qëndronte pikërisht Vata, ndërkohë që Luzi kishte si detyrë që të merrte lëndën narkotike nga posta.
Burime bëjnë me dije për ZËRIN, se pakoja ishte porositur në emër të një personi nga Korça, dhe është marrë pikërisht nga Luzi.
NJOFTIMI I POLICISË:
Finalizohet pas një pune të mirëfilltë hetimore, operacioni policor i koduar “California”.
Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në drejtimin e Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë.
Goditet një rast i trafikimit të lëndës narkotike cannabis sativa, nga ShBA, në vendin tonë, duke përdorur shërbimin postar. Vihen në pranga 2 shtetas.
Sekuestrohen 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe 2 celularë.
Specialistët për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Drejtorinë e Hetimit Doganor në Drejtorinë e Përgjithshme të Doganave, në kuadër të procedimit penal me metoda speciale hetimore, nr. 3748 të Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, kanë finalizuar operacionin policor të koduar "California".
Si rezultat u godit një rast i trafikimit të lëndëve narkotike, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar, dhe u vunë në pranga shtetasit S. V., 27 vjeç dhe J. L., 24 vjeç, të dy banues në Kamëz.
Këta shtetas dyshohet se kanë trafikuar lëndë narkotike me përqindje të lartë THC, nga ShBA në Shqipëri, me anë të shërbimit postar.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 3 kg e 200 gramë cannabis sativa, me përqindje të lartë THC, e ndarë në pako, shuma parash dhe celularët e shtetasve të arrestuar.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.
/ZËRI