
SUKTH- Një tjetër vrasje me armë zjarri ka tronditur vendin rreth mesnatës në Sukth të Durrësit, ku ka mbetur i vrarë Fatjon Dervishi, 38 vjeç. Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se ngjarja ka ndodhur në afërsi të shinave të trenit, ku persona ende të paidentifikuar kanë qëlluar në drejtim të 38-vjeçarit.
Fatjon Dervishi u transportua menjëherë në spital për ndihmë mjeksore, por si pasojë e plagëve të marra ka ndërruar jetë në spital. Në makinë me të ka qenë dhe një tjetër person, mik i viktmës, i cili është shprehur se së bashku kishin qenë në lokal dhe po ktheheshin drejt banesës. Dëshmitari për fat të mirë nuk ka marrë asnjë plumb.
“Ishim në një lokal dhe po ktheheshim në shtëpi kur na qëlluan”, ka deklaruar në polici shoku i viktimës. Në vrasje dyshohet se kanë qenë të përfshirë 3 persona, 1 ekzekutor, 1 shofer dhe një person tjetër që po monitoronte zonën. Në drejtim të makinës së Dervishit janë derdhur të paktën 15 plumba.
Shërbimet e Policisë me marrjen e njoftimit kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Në ndihmë të Policisë vendore janë nisur dy grupe të Fnsh-së Tiranë.
Grupi hetimor ka shkuar në vendngjarje dhe në bashkëpunim me Prokurorin vijon veprimet për zbardhjen dhe dokumentimin e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.
Ndërkohë shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe vijon krehja e zonës. 38-vjeçari Dervishi është fqinj i “Arapit të Sukthit”, një personazh i njohur për drejtësinë.
Ai është person me precedent kriminal në trafikun e lëndëve narkotike dhe i skeduar për vrasje. ‘Arapi i Sukthit’ në vitin 1991 është akuzuar për vrasjen e A.Cyrbja.
Policia po heton dhe një tjetër pistë për vrasjen e Fatjon Dervishit, disa vite më parë vëllai i tij dyshohet se ka ekzekutuar një peson nga Lezha, vrasja ka ndodhur jashtë Shqipërisë. Policia po heton pistën e hakmarrjes pasi vetë viktima nuk precedent penal.
Kjo është vrasja e dytë që trondit vendin në harkun kohor të më pak se 24 orëve. Paraditen e djeshme një tjetër ekzekutim ndodhi në qendër të Rrëshenit, ku me breshëri arme u vra 62-vjeçari Martin Bardhi.
-
Tronditet Rrësheni! Ekzekutohet Martin Bardhi, plagosen 3 kalimtarë
26 Shtator, 11:00
Si pasojë e plumbave, u plagosën dhe tre persona të tjerë që ishin në tavolinë me të në lokalin që ishte në pronësi të pikërisht Bardhit. Edhe për këtë ngjarje policia deklaroi se kishte ngritur pika kontrolli në të gjithë zonën, por pa mundur dot që të kapte autorët, të cilët dogjën makinën menjëherë pas ngjarjes. Sa i takon vrasjes së Bardhit, policia është duke marrë në pyetje anëtarë të fisit Reçi, ndërkohë që vetë Saimir Reçi me të cilin viktima kishte konflikt të hapur nuk është gjetur në banesë në momentin e kontrolleve.
Por kush është Martin Bardhi dhe pse e donin të ekzekutuar?
62-vjeçari ka qenë një prej autorëve të të shtënave me armë ndaj Saimir Reçit, një ngjarje e ndodhur po ashtu në Rrëshen, në fillim të këtij viti. Saimir Reçi është nipi i Kastriot Reçit, i ekzekutuar në qendër të Rrëshenit në vitin 2020. Në ngjarjen e cila u regjistrua në 26 mars, është përfshirë edhe djali i Martin Bardhit, Erind Bardhi, si dhe një 28-vjeçar tjetër lidhje gjaku e familjes Bardhi.
Ka qenë Erind Bardhi fillimisht, i cili është konfliktuar me Saimir Reçin në qendër të qytetit të Rrëshenit dhe pas këtij momenti ka shkuar në banesë për të marrë armën. Sipas Policisë, bashkë me babanë e tij, Martin Bardhin dhe një kushëri, qëlluan ndaj Reçit në dalje të qytetit, por makina e blinduar e shpëtoi këtë të fundit. Pak kohë më parë viktima e djeshme u arrestua dhe më pas u la i lirë. Por megjithëse i shpëtoi akuzave të drejtësisë në lidhje me përplasjen me fisin Reçi, Bardhi nuk i ka shpëtuar plumbave të krimit, që pasojnë një seri hakmarrjes mes fiseve në Rrëshen./Zëri.ai