Aktualitet

U arratis nga burgjet italiane duke prerë hekurat me sharrë, arrestohet në Belgjikë Ilir Pere. ‘Bridhte’ botën si grek

Pere ka pranuar se ka blerë armë të fuqishme, por vetëm sepse donte të hakmerrej për vdekjen e vëllait, që rezulton i vrarë e i djegur nga shqiptarë të tjerë

E.K
U arratis nga burgjet italiane duke prerë hekurat me sharrë,
Ilir Pere

BELGJIKË- Ilir Pere, 48-vjeç, i shumëkërkuar nga autoritetet italiane, është arrestuar në Belgjikë. Ai fshihej në shtetin belg, me një identitet grek, duke u prezantuar si Kikolaos Liarakos, që në fakt rezulton të jetë një person që jeton në zonën e Peloponezit në Greqi. Me identitetin e rremë, sipas mediave italiane, shqiptari shëtiste gjithë botën, duke trafikuar drogë dhe armë.

Falë një punë të përbashkët mes autoriteteve belge dhe italiane, Pere është lokalizuar dhe arrestuar në Liezh. Prokurori i Catanzaro-s në Itali, Vincenzo Capomolla, së bashku me Giancarlo Novelli dhe prokurorin e Antimafias Stefania Paparazzo, shkuan për ta marrë në pyetje pikërisht në Belgjikë.

Ilir Pere duhet të vuajë një dënim përfundimtar në Itali, prej 28 vitesh burg dhe rezulton nën hetim në një çështje tjetër të hapur për trafikun e drogës, mes Italisë dhe Gjermanisë.

Sipas asaj që raportojnë mediat fqinje, i shumëkërkuari shqiptar për hetuesit italianë ka pranuar se është Ilir Pere dhe jo Nikolaos Liarakos. Ka pranuar po ashtu se ka përdorur për një kohë të gjatë telefonat e enkriptuar dhe platformën “Sky EÇ” për të komunikuar me bashkëpunëtorët e tij në Itali, por duke mohuar se ka pasur një rol domethënës në botën e narkotrafikut.

Po ashtu, ka pranuar se ka blerë armë të fuqishme, por vetëm sepse donte të hakmerrej për vdekjen e vëllait, që rezulton i vrarë e i djegur nga shqiptarë të tjerë. Sa i përket telefonave të enkriptuar, ka shpjeguar se ka mundur që ti blejë nëpërmjet furnizuesve turq e pakistanezë, me anë të rekomandimit të personave të duhur.

Me hetuesit italianë mësohet se Pere preferoi të fliste në italisht dhe jo në shqip. Ilir Pere nuk është emër i panjohur në fakt si në Itali ashtu sikurse edhe në Shqipëri. Në vitin 2016, së bashku me dy shqiptarë të tjerë, Tesi Basho dhe Mikel Hasanbelliu, u arratisën nga burgu i Rebibbia, në Romë.

Basho vuante dënimin për vrasje, ndërsa Hasanbelliu për shfrytëzim prostitucioni. Arratisjen e realizuan duke prerë hekurat e dritares së qelisë me sharrë, e më pas zbritën me çarçafët e improvizuar si litar. /ZËRI 

Poll

MOS HUMB