
RRËSHEN- Vetëm 26 ditë ka mundur të lëvizë i lirë në Rrëshen Martin Bardhi, i cili u ekzekutua ditën e djeshme në qendër të qytetit, ndërkohë që ngjarja po hetohet për pistën e hakmarrjes, me Saimir Reçin. Bardhi ishte arrestuar në muajin Mars, i akuzuar së bashku me djalin e tij për vrasje të mbetur në tentativë ndaj Reçit, por ishte lënë i lirë nga Gjykata në muajin Korrik, pasi kishte dorëzuar pamje filmike që në ditën kur u qëllua me breshëri arme makina e blinduar e Reçit ai kishte qenë diku tjetër.
Por pavarësisht lirimit, Bardhi për më shumë se një muaj i kishte shmangur daljet në qytet dhe në bizneset e tij, nga frika e ndonjë hakmarrje të mundshme. E pikërisht kjo hakmarrje dyshohet se u finalizua ditën e djeshme, ku Bardhi u qëllua me breshëri arme nga dy persona, që dyshohet se në momentin e krimit kanë qenë të maskuar.
10 persona janë marrë në pyetje në lidhje me vrasjen e Martin Bardhit paraditen e së martës në qendër të Rrëshenit, por për asnjërin prej tyre nuk ka pasur prova se kanë qenë të implikuar në ngjarje. Në mesin e personave që janë marrë në pyetje janë dhe pjestarë të fisit Reçi, me të cilët Bardhi ka pasur një konflikt të hapur, por të gjithë ata kanë mohuar që të kenë pasur dijeni për ngjarjen. Policia ka shoqëruar dhe babanë e Saimir Reçit, pasi ky i fundit është një prej të dyshuarve për ngjarjen, por dëshmia e tij nuk ka ndihmuar në përparimin e hetimeve. Vetë Saimir Reçi nuk është gjetur në banesë gjatë kontrolleve policore. Pas marrjes në pyetje të gjithë personat janë lënë të lirë!
-
Vrasja e Martin Bardhit, merret në pyetje babai i të dyshuarit
27 Shtator, 09:45
Makina e autorëve rezulton me targa të vjedhura- Burime bëjnë me dije për Zëri.ai se makina që u gjet e djegur, e që dyshohet se u përkiste autorëve ka qenë me targa të vjedhura. Edhe pse ngjarja ndodhi në qendër të Rrëshenit, shumë pranë komisariatit të policisë, efektivët jo vetëm që nuk mundën të arrestonin autorët, por këta të fundit dogjën edhe mjetin, duke humbur praktikisht ëdo gjurmë.
Autorët kanë qenë dy të maskuar- Autorët që kanë marrë pjesë na vrasjen e Bardhit, por edhe plagosjen e 3 personave të tjerë që ishin në makinë me të, kanë qenë të maskuar në momentin e krimit. Me kallashnikovë në duar ata i janë drejtuar ambienteve të lokalit në pronësi të viktimës, dhe kanë qëlluar me breshëri në drejtim të makinës ku ai ndodhej. Për pasojë mbetën të plagosur dhe: Ilir Bardhoku, ish-drejtor shërbimesh në Bashkinë e Mirdirës; Olti Gjini, pronar i një lokali dhe një tjetër person, i identifikuar si Indrit Bardhi, i afërmi i viktimës. Të tre u transportuan menjëherë për në spitalin e Traumës në Tiranë, ku kanë marrë ndihmën e parë mjekësore, fatmirësisht jashtë rrezikut për jetën.
/Zëri.ai