TIRANË-Është shtyrë seanca në Gjykatën e Posaçme për ish-ministrin Ilir Beqaj, dhe 6 bashkëpunëtorët e tij, për të cilët SPAK ka kërkuar masa sigurie, nga arrest me burg në detyrim paraqitje. Shkak për shtyrjen e seancës është bërë kërkesa e avokatëve mbrojtës të Beqajt dhe të pandehurve të tjerë, të cilët kanë kërkuar më shumë kohë që të njihen me dosjen hetimore. Seanca e radhës e caktuar nga gjyqtarja Rudina Palloj, është lënë për mesditën e nesërme, në orën 12 e 30. Vetë Beqaj u dërgua sot me pranga në duar në ambientet e Gjykatës së Posaçme, ndërsa që prej ditës së djeshme po mbahet në paraburgim, në bllokun e sigurisë në rrugën Mine Peza në Tiranë.
Bashkë me Beqaj një ditë më parë u arrestua edhe Ermal Kurtulaj dhe Alfred Nikolla, ndërkohë për 4 persona të tjerë u caktuan masa më të buta sigurie. Beqaj u arrestua mëngjesin e djeshëm lidhur me shpërdorimin e fondeve të BE-së, përmes agjensisë Saspak, të cilën ish-ministri i Shëndetësisë e drejtonte, edhe pse më parë ndaj tij, SPAK kishte nisur hetimet lidhur me koncensionet në shëndetësi.
SPAK ka ngritur ndaj Beqajt akuzat për “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë publikë”, “Refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, “Mashtrimi” kryer në bashkëpunim, me pasoja të rënda, si dhe “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, kryer në bashkëpunim.
SPAK njoftoi gjithashtu se janë kryer edhe kontrolle në banesat e të arrestuarve dhe në njërën nga zyrat e shoqërisë tregtare ku janë sekuestruar dokumente dhe blloqe me shënime, shuma parash prej afro 47. 000 euro dhe 700.000 lekë, aparate telefoni me interes për hetimin etj.
Në njoftimin e SPAK pas arrestimit të Ilir Beqajt sqarohet se është abuzuar me fondet e Bashkimit Europian, të cilat Beqaj duke qenë pronar de facto i restorantit “Gzona” përpiqej t’i kalonte nëpërmjet faturave fiktive në xhepat e tij. Madje në një rast, për organizimin e një konference për turizmin janë prerë dy fatura, një nga agjencia që drejtonte Ilir Beqaj me fondet e Bashkimit Europian dhe një nga Ministria e Kulturës me fondet e taksapaguesve shqiptarë.
“Shërbimi i prokuruar “Për Organizmin e Konferencës 03-05 Prill 2023 “E Ardhmja e Turizmit të Qëndrueshëm Mjedisor në Shqipëri FESTA Asistenca Teknike IPA CBC, Projekti Adrion”) me vlerë 125.000,00 Euro, është i njëjtë me atë të prokuruar nga Ministria e Turizmit dhe Mjedisit (në vlerën sipas çmimit të kontratës 38.509.550 lekë) për të njëjtin event atë të quajtur “Festa”, duke u kontraktuar në të dyja rastet e njëjta shoqëri tregtare e quajtur “L…… International” sh.p.k me Ortak e Administrator personi nën hetim Gazmend Haxhia dhe Drejtor Ekzekutiv personin nën hetim A. N”,-thuhet në njoftim.
I vetmi shërbimi i ofruar për eventin nga kjo shoqëri tregtare është organizimi i darkës, vazhdon SPAK, e cila është organizuar nga restorant “Gzona” në një vlerë prej 4.189.000 lekësh.
Pas më shumë se një viti hetimesh, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj është vënë sot në pranga me urdhër të SPAK. /ZËRI



