
VLORË- Zbulohet autori që i vendosi flakën një makinë në lagjen "Lirim" të Vlorës. Si rezultat i hetimeve të kryera nga Policia e Vlorës në bashkëpunim me Prokurorinë, u procedua në gjendje të lirë 17-vjeçari, vetëm për shkak të moshës. Automjeti, tip "Benz", ishte në përdorim nga një shtetas 19-vjeçar. Policia vijon hetimet për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë, të cilët dyshohet se kanë nxitur adoleshentin të kryejë këtë akt.
Njoftimi i Policisë:
Vlorë/Zbardhet djegia e qëllimshme e një automjeti, kryer një javë më parë, në lagjen “Lirim”. Procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, autori i dyshuar, një shtetas 17 vjeç. Vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast, të cilët dyshohet se kanë nxitur 17-vjeçarin në këtë krim. Si rezultat i informacioneve dhe provave të siguruara gjatë një hetimi të ndjekur me metoda proaktive, në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës, u mundësua zbardhja e djegies së qëllimshme të automjetit tip “Benz”, në përdorim nga shtetasi S. P., 19 vjeç, kryer në lagjen “Lirim”, mbrëmjen e datës 05.08.2024.
Në përfundim të veprimeve hetimore specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Vlorë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shkak të moshës, për autorin e dyshuar të rastit, shtetasin Z. M., 17 vjeç, banues në Vlorë, për veprën penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr”. Në drejtimin e Prokurorisë, vijon puna për identifikimin e shtetasve të tjerë të përfshirë në këtë rast, të cilët dyshohet se kanë nxitur 17-vjeçarin për të djegur këtë automjet. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme./ ZËRI