Aktualitet

“Vllatorja” e “Moskato”, dy tokat me vlerë 1 mln € që çuan në burg Goro, si i kaluan Bollanos

Hetimet vazhdojnë edhe për kryebashkiakun e përkohshëm të Himarës, Arqile Bollano, i cili është edhe përfitues i pronës, e një nënpunës tjetër i quajtur Oleg Goro. Të dy, si Bollano edhe Goro, rezulton që kanë përpiluar listën e personave që do të përfitonin tokë në Himarë dhe ndër emra kanë futur edhe veten. 

k.m.
“Vllatorja” e “Moskato”, dy tokat me vlerë 1 mln
Jorgo Goro, Irakli Likoka dhe Arqile Bollano

TIRANË- Dy sipërfaqe toke të quajtura “Vllatorja” dhe “Moskato” vlejnë 1 milionë euro! Dy copat e tokës, të cilat ndodhen në zonën e Himarës, i përkisnin mësuesit të 9-vjeçares, Irakli Likoka. Por prej disa vitesh i ishin marrë padrejtësisht. Për të kërkuar të drejtën e tij, mësuesi bëri kallëzim në Prokurorinë e Vlorës dhe më pas çështja i kaloi Strukturës së Posaçme kundër korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila kërkoi një arrestim të dytë për ish-kryebashkiakun e Himarës, Jorgo Goro dhe jo vetëm.

Hetimet vazhdojnë edhe për kryebashkiakun e përkohshëm të Himarës, Arqile Bollano, i cili është edhe përfitues i pronës, e një nënpunës tjetër i quajtur Oleg Goro. Të dy, si Bollano edhe Goro, rezulton që kanë përpiluar listën e personave që do të përfitonin tokë në Himarë dhe ndër emra kanë futur edhe veten. 

Këto dokumenta, që kanë rezultuar të rreme, janë firmosur nga asokohe kryetari i bashkisë Himarë, Jorgo Goro duke bërë pronar në mënyrë të padrejtë zyrtarin e bashkisë, Arqile Bollanon dhe disa persona të tjerë. Kjo me pretendimin se nuk kishin përfituar nga ligji 7501 dhe duhet të pajiseshin me tokë, por e vërteta ishte krejt tjetër. Kështu Bollano me të drejtën e pronarit të tokës ka bërë një mbivendosje harte për gastrën “Vllatorja”, e cila përllogaritet në 3742 metra katror.

Kështu, siç bën me dije gazetari Elton Qyno për "OraNews", duke qenë se Bollano cenoi pasurinë private të Irakli Likokës, ky i fundit ju drejtuar në 7 dhjetor 2022 prokurorisë me një kallëzim penal. Në përballjen e tij me drejtësinë, mësuesi ka shpjeguar se tokën e kishte të trashëguar nga i ati, Niko Likoka. Për tokën me sipërfaqe kullotë me sipërfaqe 2.2 ha kishte të gjithë dokumentat e nevojshme.

"Lidhur me faktet e denoncuara nga Irakli Likoka, nga ana e prokurorisë është kërkuar informacion pranë Bashkisë Himarë, e cila në datën 12 janar 2023, ka çuar informacion se mbi bazën e kërkesës dhe dokumentacionit të paraqitur nga Arqile Bollano, ai është trajtuar me vendimin nr.52, datë 4 Maj 2016 të Këshillit Bashkiak Himarë, si përdorues faktik i tokës bujqësore, për parcelat “Moskato” me sipërfaqe 517 m/2 dhe “Vllatorja”, me sipërfaqe 4263 m/2. Për parcelën “Vllatorja”, familjes së Arqilea Bollano, i është lëshuar nga Bashkia Himarë, Akti i Marrjes së Tokës në Pronësi nr.11, në datën 25 Gusht 2016. Sipas këtij informacioni drejtuar Bashkisë Himarë, informacion i përpiluar dhe nënshkruar nga shtetasi Arqilea Bollano dhe Oleg Goro, është bërë takimi me përdoruesit faktikë të tokës bujqësore dhe në bazë të listës së përpiluar dhe dokumentacionit përkatës që është dorëzuar nga çdo qytetar dhe verifikimi i tyre, grupi i punës është dakord që të vazhdohet procedura për tu pajisur me AMTP,"-shkruhet ndër të tjera në artikull. 

Por çfarë thotë kryebashkiaku aktual i Himarës lidhur me çështjen e re që ka mbërritur tashmë në duart e SPAK dhe që i rrezikon edhe atij lirinë? Gjatë marrjes në pyetje nga Prokuroria, ai pretenton se tokën e ka marrë nga Këshilli Bashkiak i Himarës

Për tjetërsimin e dy pasurive në mënyrë të padrejtë, prokuroria ka marrë në pyetje Arqile Bollanon, kryetarin aktual të bashkisë Himarë, i cili teksa ka dhënë shpjegime ka pohuar se tokën e ka marrë si përdorues faktik, duke ja dhënë Këshilli Bashkiak Himarë. Pasi është pajisur me të gjitha dokumentet, shton se regjistrimin e ka bërë në hipotekën e Vlorës. 

“…këtë pronë e kam përfituar si përdorues faktik. Unë e kam pasur në përdorim që pas viteve 1990 dhe nuk ka pasur pretendime nga asnjë. Para shumë vitesh unë kam mbjellë edhe disa ullinj në këtë tokë por duke qenë e parrethuar, i ka dëmtuar bagëtia dhe nuk jam marrë më. Kam rënë në dijeni se në vitin 2013 ka dalë një VKM që këto toka që kishim në përdorim të na jepeshin në pronësi .Kam paraqitur kërkesë në Bashkinë Himarë, duke dorëzuar dokumentet e nevojshme dhe pasi është trajtuar kërkesa dhe është kryer procedura, me vendim të Këshillit Bashkiak Himarë është miratuar lista e përfituesve ku është edhe emri im. Pas kësaj nga Bashkia Himarë më është dhënë AMTP me nr. akti 11, datë 25 gusht 2016 për parcelën me sipërfaqe 4263 m/2 në vendin e quajtur “Vllatorja”, Himarë. Për këtë pasuri sipas ligjit kam aplikuar dhe e kam regjistruar në hipotekën e Vlorës…”.

Megjithatë kjo alibi duket se nuk është "blerë" nga SPAK që ka vazhduar hetimet ndaj Bollanos dhe Goros, por për asnjë nga të dy ende nuk është marrë asnjë veprim./ZËRI

Poll

MOS HUMB