Aktualitet

Vranë babanë e tyre, dalin sot para Gjykatës 3 fëmijët e Pëllumb Metës, roli kontradiktor i gruas

Nëse fejesa me detyrim nuk është shkak, atëherë pse e vranë 3 fëmijët babanë e tyre?

E.K
Vranë babanë e tyre, dalin sot para Gjykatës 3 fëmijët
Pellumb Meta dhe dy femijet e tij, Hysen dhe Hygerta

DURRËS- Do të dalin sot përpara Gjykatës së Durrësit, 3 fëmijët e familjes Meta, të cilët dyshohet se kanë kryer vrasjen e babait të tyre, Pëllumb Meta. Prokuroria pritet që të kërkojë masën e arrestit me burg për të tre fëmijët, ndërkohë që vijojnë hetim dhe për nënën e tyre Blerina Meta.

3 fëmijët e viktimës pritet të përballen me akuza të rënda në gjykatë. Në dosjen e policisë që iu dërgua prokurorisë, 25-vjeçari Hysen Meta dyshohet për veprën “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, e kryer në bashkëpunim. Gjithashtu ndaj tij pritet të ngrihen dhe akuzat “Armëmbajtje pa leje dhe “Fshehja ose asgjësimi i kufomës”. Sipas policisë ai ka qëlluar babanë e tij me 4 plumba dhe nëse shpallet fajtor rrezikon deri në burgim të përjetshëm sipas nenit 79 pika c të Kodit Penal.

Prokuroria është duke thelluar hetimet për shkakun e vrasjes, pasi fejesa me detyrim e Hygerta Metës nuk qëndron. Familja me të cilën pretendohej se do të bëhej krushqia, ka deklaruar se viktima ka qenë kundër fejesës, pasi sipas tij vajza duhet të përfundonte fillimisht universitetin.

Në dosje thuhet se “Në interes të hetimeve u janë marrë deklarime dhe shtetasve O Q., R. Q. E. Q. ku shtetasja E. Q ka deklaruar se ka pasur dëshirë që të lidhte krushqi me familjen e viktimës por që ky i fundit nuk ka pranuar pasi vajza do të vazhdonte shkollën dhe nuk ka pasur plane për ta fejuar”.

Xheni, vajza e cila u bë shkas për të kërkuar dorën e Hygertës për vëllain e burrit të saj, tregon se babai i Hygertës ishte një njeri i dashur dhe se nuk donte ta fejonte vajzën e tij, për shkak se po donte të vazhdonte universitetin. Madje ajo pretendon se i  ndjeri Pëllumb Meta i ka thënë: “Këto janë punë grash. Shko e fol njëherë me gruan”.

“Ai e kishte dritën e syve. Bënte gjithçka për të. I donte fëmijët e tij, familjen. Çdo ditë e dërgonte me makinën e vet vajzën deri në Durrës që të merrte autobusin e të shkonte në Tiranë se ishte studente e gjuhëve të huaja. Duke e njohur e krijuar respekt për të, se vinte çdo ditë tek lokali, rreth 4 muaj më parë a diçka më shumë, i thashë për të fejuar vajzën me kunatin tim që jeton në Itali. Më tha që vajza kishte filluar shkollën për gjuhët e huaja në Tiranë dhe s’bëhej ajo punë. Megjithatë nuk ma preu shkurt, po më tha: ‘Këto janë punë grash. Shko e fol njëherë me gruan.’ Shkova dhe më priti shumë mirë, por dhe ajo më tha të njëjtën gjë dhe u mbyll ajo punë. Kaq qe”, shprehet Enxheni. 

Nga ana tjetër Blerina Meta, nëna e tre fëmijëve të arrestuar, e cila është marrë në mbrojtje nga policia nga frika e hakmarrjes, vijon që të mohojë se ka qenë në dijeni të ngjarjes, pavarësisht se në një nga dëshmitë e shumta që vajza ka dhënë mbi ngjarjen, dhe që prokuroria e ka pjesë të dosjes, thuhet se e ëma, kur ka ardhur në banesë ka ngelur e tronditur nga ajo që kishin bërë fëmijët.

“Kur mami u thye në shtëpi u trondit nga ajo që kishim bërë. Të dyja qëndruam në shtëpi dhe pastruam vendin dhe divanin nga gjaku, aty ku vëllai qëlloi babi. Ne e ngjitëm divanin në kat të dyte, ndërsa dy vëllezërit u morën me groposjen e trupit”, thuhet në dëshminë e Hygerta Metës./ZËRI 

Poll

MOS HUMB