SARANDË- Rexhep Ismaili 66-vjeç, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e djeshme nga një atentat në lokalin e tij, ishte kryetar i Shoqatës "Çamëria" në Sarandë. Lidhur me ngjarjen që tronditi mbrëmë qytetin e Sarandës, ka reaguar Shoqata "Çamëria" dega Vlorë, duke kërkuar zbardhjen e saj të menjëhershme.
Përmes një reagimi publik, shoqata shpreh dhimbjen për ndarjen tragjike nga jeta të Ismailit, ndërsa nënvizon kontributin e 66-vjeçarit si “zë i palëkundur” dhe “mbrojtës i pashoq” për çështjen çame.
“Me dhimbje të thellë njoftojmë ndarjen tragjike nga jeta të z. Rexhep Ismaili, Kryetar i Shoqatës ‘Çamëria’ Sarandë. Ai ishte një zë i palëkundur dhe mbrojtës i pashoq i çështjes çame që prej fillimeve të demokracisë. Shoqata ‘Çamëria’ dega Vlorë dënon këtë vrasje të rëndë dhe kërkon zbardhjen e menjëhershme të ngjarjes. Ngushëllime të sinqerta familjes dhe bashkëpunëtorëve. I paharruar qoftë kujtimi i tij!”, thuhet në reagim.