
ITALI- 8 goditje, 6 të thella dhe 2 sipërfaqësore i morën jetën Vanessa Ballan, 26-vjeçaren shtatzënë, e cila u vra në banësën e saj nga Bujar Fandaj. Ky është përfundimi që ka dalë nga autopsia e kryer mëngjesin e sotëm nga mjeku Antonello Cirnelli, i emëruar nga Prokuroria e Trevisos. Dy goditje kanë dëmtuar të dyja mushkëritë, ndërsa një plagë me thikë ka shpuar zemrën. Megjithatë vrasësi u sigurua që gjuajtja ishte vdekjeprurëse.
"Para se të goditej me thikë ishte rrahur edhe sepse kishte shenja të rrahjeve të dhunshme në fytyrë. Viktima është përpjekur të bllokojë goditjet për shkak se kishte lëndime në duar, ka tentuar të mbulohet,"- shpjegoi Martani.
Prokurori publik, Michele Permunian, urdhëroi që gjatë autopsisë t'i bëhej testi i atësisë për fëmijën që Vanessa kishte vetëm dy muaj që e mbante në trup, pasi ka dyshime se i riu nga Kosova mund të jetë babai i foshnjës.
Ndërkohë, Policia ka grumbulluar prova thuajse të pakundërshtueshme që autori është 41-vjeçari nga Kosova. Ndër to është një video e regjistruar nga kamerat e vëzhgimit të një shtëpie afër asaj të viktimës, ku shihet një burrë me veshje të ngjashme me ato që mbante veshur Fandaj në momentin e arrestimit. Në mëngjesin e vonë të datës 19 dhjetor, ditën e vrasjes, shqiptari endej pranë shtëpisë së viktimës, derisa u ngjit mbi gardh. Në vendin e krimit është gjetur një çekiç dhe një thikë, me një dorezë druri dhe një teh 20 centimetra në lavamanin e kuzhinës, e cila gjithashtu u sekuestrua.
Vrasja ndodhi në via Fornasette, në Spineda, një fshat i Riese Pio X. E reja u godit me thikë shtatë herë në hyrje të banesës së saj, nga Bujar Fandaj, teksa raportohet se ajo e kishte denoncuar më parë autorin për përndjekje. Alarmi u ngrit nga një fqinj, i cili njoftoi menjëherë policinë. Vanessa ishte në pritje të fëmijës së saj të dytë./ZËRI