ITALI-Nazif Muslija, 50-vjeçari shqiptar nga Maqedonia e Veriut i akuzuar për vrasjen e gruas së tij, Sadjide Muslija , ngjarje që ndodhi më 3 dhjetor në Pianello Vallesina di Monte Roberto (Ancona), u gjet nga karabinierët i plagosur rëndë, në një zonë të largët.
Mediat italiane raportojnë se makina e tij tip 'Smart' i bardhë, u gjet e braktisur pranë vendit ku u gjet 50-vjeçari dhe vendndodhja e tij po hetohet. Dyshimet janë se Muslija ka tentuar vetëvrasjen, pasi ka dhunuar për vdekje gruan e tij. Pas një dite hetimesh, karabinierët e Seksionit të Hetimeve Mjekësore u kthyen në shtëpinë ku gruaja u gjet e vrarë me goditje të forta në kokë dhe gjoks për të kërkuar gjurmë dhe objektin që dyshohet se u përdor në vrasje.
Avokati i Nazifit ka kontaktuar djalin 27-vjeçar të çiftit, i cili jeton në Zvicër, për ta informuar mbi tragjedinë.
Djali ka deklaruar se “E prisja këtë…”, duke kujtuar se vetëm pak muaj më parë kishte strehuar nënën e tij kur babai ishte arrestuar.
Çifti ndodhej në proces divorci, por mediat raportojnë se burri ishte rikthyer të jetonte me të, pavarësisht ndarjes. Ai kishte precedentë të mëparshëm për dhunë në familje, si dhe disa denoncime të bëra nga 49-vjeçarja. Në prill të këtij viti, ai ishte arrestuar për dhunë fizike ndaj saj.
Në atë rast, bashkëshorti i saj kishte thyer derën e dhomës së gjumit me një sëpatë dhe ajo ishte strehuar në shtëpinë e fqinjëve. Ai ia kishte thyer telefonin celular dhe kishte bërtitur: "Do të të vras sonte", duke e akuzuar se dyshohet se e ka tradhtuar. Gruaja kishte raportuar se prej dy vitesh ishte nën dhunën e vazhdueshme të bashkëshortit./ZËRI
