
ITALI- Selami Bodi vrau në tetor të 2023 bashkëshorten e tij Etleva Bodi. Ngjarja e rëndë ndodhi në Savona të Italisë, ndërsa çifti ishin prindër të katër fëmijëve të mitur. Mediet italiane bëjnë me dije se prokurori Giovanni Battista Ferro ka kërkuar burgim të përjetshëm për Bodin.
Gjatë hetimeve, policia zbuloi muhabetet e çiftit falë analizave të celularëve dhe u provua se viktima kishte qenë pre e dhunës edhe në të shkuarën. Etleva i kishte dërguar me mesazh Bodit më 3-4 tetor 2023, 3 lidhje në tre video në YouTube në gjuhën shqipe me lutje dhe monologje që fokusoheshin tek “si të jesh burrë i mirë në fenë myslimane, të respektosh gruan e të mos e poshtërosh” dhe për “si ta trajtoni mirë gruan tuaj”.
Prokurori Publik është ndalur në disa mesazhe, në të cilat Etleva ka thënë “Unë do të tregoj atë që kam vuajtur, sepse më ke rrahur vazhdimisht”; “Më dërgove në spital dhe vazhdova të duroja”; “Më mirë të vdisja.”
Ndërkohë sipas dëshmive Selami Bodi e kishte mbajtur gruan e tij, Etlevën larg familjes së saj dhe me radikalizimin islamik nuk i lejonte praktikisht asgjë edhe për sa i përket mënyrës së veshjes (për dy vjet që kishte nuk ishte në gjendje të përdorte celularin e saj).
31-vjeçarja Etleva Bodi, nënë e katër fëmijëve të mitur, nuk mundi të mbijetojë pavarësisht ndihmës mjekësore të mjekëve të spitalit "San Paolo" në Savona. Edhe pse 17 orë në luftë me vdekjen, ajo sërish nuk ia doli dot. Ngjarja e rëndë ndodhi në tetor 2023, ku 41-vjeçari shqiptar, Selami Bodi njoftoi urgjencën pasi gruaja e tij nuk merrte dot frymë. Më pas u zbulua se ishte pikërisht ai që e dhunoi në sy të fëmijëve dhe tashmë akuzohet për vrasje. Shkak u bë një debat mes tyre për motive xhelozie./ZËRI