Aktualitet

Zbardhet plagosja në Shijak, në vendngjarje pati shkëmbim zjarri, pranga pronarit të dyqanit

U arrestua nga policia shtetasi Albano Domi, pronari i dyqanit ku ndodhi ngjarja, në kërkim Arbër Hoxha dhe një tjetër

E.K
Zbardhet plagosja në Shijak, në vendngjarje pati shkëmbim zjarri,
Pamje nga vendngjarja

SHIJAK- Është zbardhur plagosja e ndodhur mesditën e djeshme në Shijak, ku fillimisht ngjarja u raportua si një konflikt banal nga ana e policisë. Në fakt gjatë plagosjes së shtetasit, Enidor Dedja, në ambientet e një biznesi, ka pasur shkëmbim zjarri mes palëve. Policia ka arrestuar pronarin e biznesit ku ndodhi përplasja me armë, shtetasin Albano Domi, ndërkohë që mbeten në kërkim dy persona të tjerë. Njëri prej personave në kërkim është autori i plagosjes Arbër Hoxha, ndërsa personi tjetër Xhejms Palodhi. 

Sipas policisë, nga hetimet rezultoi se për motive të dobëta, shtetasit Hoxha dhe Palodhi janë konfliktuar fizikisht me Domin, dhe më pas kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij.

Burime për ZËRIN bëjnë me dije se Dedja nuk ka qenë shënjestër e sulmit, dhe se plumbi e ka kapur atë aksidentalisht për shkak se ndodhej afër biznesit në momentin që autori Arbër Hoxha po debatonte me pronarët e biznesit.


Njoftimi i policisë:

Zbardhet plagosja me armë zjarri e 36-vjeçarit. Vihet në pranga pronari i dyqanit për pjesë këmbimi, ku ndodhi ngjarja.

Sekuestrohet 1 armë zjarri pistoletë që dyshohet se e ka përdorur pronari i dyqanit, gjatë konfliktit. Vijon puna për lokalizimin dhe kapjen e 2 shtetasve që plagosën me armë 36-vjeçarin, i cili ndodhej në dyqan, gjatë konfliktit.

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Shijak, në bashkëpunim me strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës, në drejtimin e Prokurorisë, në vijim të hetimeve  të thelluara për zbardhjen e ngjarjes së ndodhur në një dyqan për pjesë këmbimi, në Shijak, arrestuan shtetasin A. D., 27 vjeç, banues në Xhafzotaj (pronari i dyqanit ku ndodhi ngjarja).

Po në vijim të veprimeve hetimore, u bë shpallja në kërkim e shtetasve A. H., 30 vjeç dhe Xh. P., 33 vjeç, të dy banues në Durrës. Vijon puna intensive për lokalizimin dhe kapjen e tyre.

Nga hetimet rezultoi se për motive të dobëta, shtetasit A. H. dhe Xh. P. janë konfliktuar fizikisht me shtetasin A. D., dhe më pas kanë qëlluar me pistoletë në drejtim të tij. Si pasojë e të shtënave është plagosur dhe është jashtë rrezikut për jetën, shtetasi E. D., i cili ishte në dyqan kur ka ndodhur konflikti.

Po nga hetimet rezultoi se dhe pronari i dyqanit, shtetasi A. D. iu është kundërpërgjigjur me armë zjarri pistoletë, shtetasve A. H. dhe Xh. P.

Shërbimet e Policisë kanë gjetur dhe sekuestuar në cilësinë e provës materiale, 1 armë zjarri pistoletë që dyshohet se është përdorur nga shtetasi A. D. (pronari i dyqanit).

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme për shtetasin A. D., për veprat penale “Kanosja” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe për shtetasit A. H. dhe Xh. P., për veprat penale “Vrasja me dashje”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit”.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB