
VLORË-Një ditë më parë flakët e zjarrit përfshinë fushën e mbetjeve në Vlorë dhe shpërndanë shtëllunga të mëdha tymi mbi të gjithë qytetin në kulmin e sezonit turistik, duke alarmuar banorët dhe turistët. Temperaturat e larta, era e fortë dhe rindezja e zjarrit ka lëshuar tym kancerogjen mbi qytet, duke krijuar jo pak shqetësim për banorët dhe pushuesit në këtë periudhë. Kjo situatë që rëndon shëndetin e qytetarëve ka edhe impakt negativ për sezonin turistik. Flakët vijojnë edhe sot.
Kryetari i Bashkisë së Vlorës Ermal Dredha ka folur mbi situatën e zjarrit masiv në fushën e mbetjeve në qytetin bregdetar, duke shpjeguar se të gjitha mjetet dhe forcat njerëzore janë vendosur në gatishmëri për shuarjen e flakëve. Dredha ka deklaruar se zjarri është vendosur nga njerëzit.
Ai kërkoi edhe ndihmën e organeve ligjzbatuese për të vënë para përgjegjësisë personat që shkaktojnë situata zjarresh. Kryetari u shpreh se shpreson që gjithçka të mbyllet sa më shpejt me qëllim që në fushën e mbetjeve të mos ketë situata të ngjashme me zjarrin e fundit.
Ermal Dredha, kryetar i Bashkisë Vlorë: Sa i përket menaxhimit procedurial sa i përket vendosjes në punë të landflillit Sherishtës, mund të ju them se para 2 ditësh ka kaluar dhe vendimi i Këshillit të Ministrave, është zbardhur sot a dje. Kam përshtypjen që shumë shpejt do të marrë rrugë. Praktikisht, Ministria e Turizmit do të na i kalojë ne kompetencat për të bërë ato punimet e fundit që kanë mbetur dhe për ta përdorur atë si fushë mbetjesh në vazhdim.
Ajo që po ndodh këtu është një histori e përsëritur prej vitesh tashmë, ne kemi që dje që jemi në terren pa ndalim. Është një punë në vazhdim. Kjo është një fushë që ka mbetje prej 40 vitesh. Nuk është kollaj që të trajtohet dhe të menaxhohet brenda 1 dite. Po e theksoj që kjo është një fushëmbetjesh shumë e madhe, është një fushë që ka mbetje prej 40 vitesh që vazhdon dhe hidhen pa fund mbetje aty. Nuk ka kapacitet për të hedhur atje. Në momentin që do të hapet Sherishta, kjo situatë do të ndryshojë.
Me ekspertët që po flasim, nuk mundet që kurrsesi që ky zjarr të ndodhë vetë, është dorë njeriu. Nuk mund të them që ka qenë e qëllimshme apo jo, nuk do të më vijë mirë që nëse do të jetë e qëllimshme. Duhet të ketë një angazhim maksimal, që nëse ka një autor të tillë, të kapet dhe pastaj të merren dhe masat konkrete karshi atij personi sepse është një dëm që i bëhet qytetit, komunitetit. Dora e njeriut sjell këtë pasojë. Kushtet klimatike nuk kanë qenë në favorin tonë. Tymi, dhe për shkak të erës, patjetër që orientohet drejt qytetit.
Tymi, për shkak dhe të erës, e ka orientuar dhe drejt qytetit. Tani që po flas, ndodhem këtu, kam gjithë ditën këtu. Ka prezenca zjarri, ka vatra zjarri ende. Të paktën nuk ka më erë që ndihmon dhe qytetin të marrë frymëmarrje. Shpresoj që të mbyllet deri nesër, ka vatra shumë të mëdha. Situata momentalisht është më e mirë nga se ka qenë gjatë ditës për shkak dhe të erës.
/ZËRI