
MEKSIKË-Ismael “El Mayo” Zambada, një nga themeluesit e Kartelit Sinaloa dhe një prej figurave më të fuqishme të trafikut ndërkombëtar të drogës, është dënuar me burgim të përjetshëm në Shtetet e Bashkuara.
76-vjeçari, bashkëthemelues i kartelit famëkeq Sinaloa së bashku me Joaquín “El Chapo” Guzmán, u shpall fajtor për drejtimin e një organizate kriminale të vazhdueshme, një akuzë që përfshinte 85 shkelje të ligjit. Ai kishte pranuar fajësinë në muajin gusht të vitit të kaluar dhe kishte rënë dakord me dënimin e përjetshëm, si edhe me konfiskimin e pasurisë në vlerë 15 miliardë dollarë.
“Derisa të gjenden asetet, kjo mbetet vetëm një shifër”, tha për Financial Times Stefan Cassella, ish-specialist federal për konfiskimin e pasurive.
“E pranoj dëmin e madh që drogat e paligjshme u kanë shkaktuar njerëzve në Shtetet e Bashkuara, Meksikë dhe vende të tjera. Gjithashtu e pranoj koston njerëzore të dhunës dhe paligjshmërisë së organizatës sime kriminale. Marr përgjegjësinë për rolin tim dhe kërkoj falje nga të gjithë ata që kanë vuajtur ose janë prekur nga veprimet e mia”, deklaroi ai.
Për gati katër dekada “El Mayo” drejtoi trafikun e miliona kilogramëve kokainë, fentanili, metamfetamine dhe heroine drejt Shteteve të Bashkuara, duke grumbulluar miliarda dollarë fitime. Prokurorët thanë se ai urdhëroi vrasje, tortura dhe sulme të armatosura ndaj kundërshtarëve, ndërsa korruptoi zyrtarë në nivele të ndryshme të qeverisë meksikane për të mbrojtur aktivitetin e kartelit.
Karteli Sinaloa është një prej sindikatave më të mëdha të tafikut të kokainës dhe pastrimit të parave në mbarë botën. Ky kartel prej viteve 1980 ka lëvizur qindra-mijëra tonelata kokainë drejt SHBA-ve, Europës dhe pjesë të tjera të botës përmes avionëve, anijeve, nëndetëseve dhe tuneleve. Deri në vitin 2021 Sinaloa ka qenë në aleancë me Gulf Cartel (Kartelin e Gjirit), por tashmë është në luftë të ashpër me Kartelin "Jalisco New Generation"./ZËRI


