Bota

Lufta Izrael-Iran/ Cilat janë katër opsionet e hakmarrjes së shtetit izraelit?

Duke qenë se sulmi i fundit iranian ishte më i fortë se ai i mëparshmi, atëherë për sa i përket proporcionalitetit, përgjigja e pritshme izraelite gjithashtu duhet të jetë më e fortë.

M.M
Lufta Izrael-Iran/ Cilat janë katër opsionet e hakmarrjes së
Benjamin Netanyahu

IZRAEL- Partnerët e qeverisë izraelite po kërkojnë tani që Izraeli të godasë Iranin në një mënyrë të fuqishme, si hakmarrje për sulmet me raketa. SHBA, nga ana tjetër, aleati i saj më i madh, po i kërkon Izraelit që të mos prekë objektet bërthamore të Iranit dhe të shmangë sulmet që mund të shihen si "të tepruara".

Çfarë do të bëjë më në fund kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu?

Sipas mediave të huaja, e vetmja gjë që është e sigurt është se izraelitët do t'i përgjigjen sulmit iranian, siç bënë prillin e kaluar.

Megjithatë, që nga ajo kohë, kanë ndryshuar shumë gjëra si vrasja e Ismail Haniya në Teheran, vrasja e Hassan Nasrallah në Bejrut,etj.

Duke qenë se sulmi i fundit iranian ishte më i fortë se ai i mëparshmi, atëherë për sa i përket proporcionalitetit, përgjigja e pritshme izraelite gjithashtu duhet të jetë më e fortë. Analisti izraelit Ben Kaspit vlerëson se vendi i tij tani në thelb ka katër opsione. Konkretisht, Izraeli vlerësohet të jetë në gjendje të godasë:

1. Objektet iraniane të naftës, shumë prej të cilave ndodhen në ishullin Khark në Gjirin Persik, rreth 25 km larg brigjeve të Iranit

2. Objektet dhe infrastruktura bërthamore iraniane, ndonëse administrata e Bidenit ka qenë e shpejtë për të shprehur kundërshtimin e saj ndaj një mundësie të tillë

3. Zyrtarët iranianë

4. “Simbole” të tjera të regjimit teokratik iranian brenda kufijve iranianë

Në periudhën e kaluar, udhëheqja izraelite ndërmori rreziqe për të cilat u justifikua ushtarakisht. Por ndërsa luftimet vazhdojnë dhe frontet zgjerohen, rreziqet ose shanset e dështimit gjithashtu rriten. Sa i përket qëllimit për ndryshimin e marrëdhënieve në Lindjen e Mesme në tërësi, duket që është e pamundur.

Irani i hodhi gati 200 raketa balistike drejt Izraelit pak ditë më parë, duke e kryer sulmin më të madh si kurrë ndonjëherë ndaj armikut të vet të përbetuar. Sulmi i 1 tetorit ishte më i madh dhe më i guximshëm se sulmet e papritura të Iranit kundër Izraelit në prill. Këtë herë, Teherani gjithashtu përdori raketa më të përparuara dhe nuk dha paralajmërime të dukshme para kryerjes së sulmit. 

Irani e përshkroi sulmin e tij të 1 tetorit si hakmarrje ndaj Izraelit për ofensivën në Liban dhe për luftën shkatërruese njëvjeçare në Rripin e Gazës, si dhe për vrasjen rishtazi të aleatëve kryesorë të Teheranit në rajon. Forcat izraelite e nisën ofensivën tokësore në Libanin jugor më 1 tetor, pas një jave bombardimesh të pareshtura dhe shkatërruese. Sulmet ajrore izraelite në Bejrut më 27 shtator e vranë Hassan Nasrallahun, liderin e Hezbollahut, grupit të armatosur dhe partisë politike që kontrollon pjesën më të madhe të Libanit jugor dhe që mbështetet nga Irani. Izraeli e ka asgjësuar lidershipin dhe i ka shkatërruar aftësitë luftarake të Hezbollahut, aleatit më të afërt dhe kyç të Iranit në strategjinë e Teheranit për ta luftuar Izraelin./ ZËRI

Poll

MOS HUMB