
RIAD- Negociatat mes Rusisë dhe SHBA-së po vazhdojnë prej më shumë se 7 orësh në Arabinë Saudite. Por sa më shumë kohë të kalojë, aq më shumë rritet frika për një ndryshim skenarësh nga presidenti rus Vladimir Putin. Nëse mes SHBA dhe Rusia arrijnë një marrëveshje dhe Moska zgjeron aktivitetin e marinës në Detin e Zi, ka dy vende që i frikësohen më shumë kësaj, Rumania dhe Bullgaria. Ato i tremben një ndryshimi të rëndësishëm në status quo-në në Detin e Zi, pasi kjo do të rriste rrezikun nga kërcënimi rus.
Sipas “Financial Times”, vendet evropiane me dalje në Detin e Zi po ndjekin me shqetësim ecurinë e negociatave në Riad, në kuadër të të cilave sot filloi takimi i delegacioneve të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Ukraina deri më tani ka dëbuar marinën ruse nga perëndimi i Detit të Zi dhe çdo marrëveshje e arritur në negociatat në vazhdim në Riad pritet të përfitojë Moska, sipas disa zyrtarëve që folën në kushte anonime, duke shtuar se kjo mund të kërcënojë sigurinë e Rumanisë dhe Bullgarisë, pa pasur ndonjë ndikim mbi të.
"Është në lagjen tonë dhe ne nuk u besojmë rusëve nëse atyre u lejohet liri më e madhe për të vepruar," tha një zyrtar. Një takim ekspertësh i "skuadrave teknike" të Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara filloi mëngjesin e sotëm një takim në Riad, Arabia Saudite dhe bisedimet pritet të fokusohen në nuancat e një rinovimi të mundshëm të nismës së sigurisë së lundrimit në Detin e Zi, e cila u diskutua gjatë kontaktit të fundit telefonik midis presidentëve të dy vendeve - Vladimir Putin dhe Donald Trump.
Amerika pret "progres historik"
I dërguari kryesor i Trump në Rusi, Steve Witkoff, tha dje se "progres i vërtetë" do të arrihet sot në Riad, veçanërisht kur bëhet fjalë për një armëpushim në Detin e Zi që do të zbatohej për lundrimin e anijeve midis dy vendeve. Megjithatë, Kremlini vlerësoi se i presin “negociata të vështira” dhe se ky ishte “vetëm fillimi i rrugëtimit”.
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se fokusi kryesor i negociatave të Rusisë me SHBA-në do të jetë rinovimi i mundshëm i një marrëveshjeje për kalimin e sigurt të anijeve që transportojnë mallra për eksportet bujqësore ukrainase përmes Detit të Zi, e cila u ndërmjetësua në vitin 2022 nga Turqia dhe OKB-ja.
“Ky ishte propozimi i presidentit putin dhe presidenti Trump ra dakord me të”, tha Peskov.
Për më tepër Putin i ka dërguar një dhuratë misterioze Trump, por nuk ka detaje rreth saj. Ky vendim, ka shkaktuar një stuhi, ndërsa vendet e Bashkimit Evropian, po e ndjekin me ankth ecurinë e ngjarjes.
“Meqenëse dhurata është personale, ne nuk do të donim të jepnim ndonjë informacion shtesë, përveç nëse vetë presidenti e sheh të përshtatshme të flasë për këtë në një moment”, theksoi zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.
Moska u tërhoq nga marrëveshja në vitin 2023, duke akuzuar Perëndimin për dështimin e përmbushjes së premtimeve të tij për të lehtësuar sanksionet ndaj eksporteve ruse të produkteve bujqësore dhe plehrave./ZËRI