
ITALI- Prokuroria Publike e Palermos ka urdhëruar hetime duke përdorur teknologjitë e reja në dispozicion për të nxjerrë ADN-në nga një gjurmë gishtash e gjetur 45 vjet më parë në derën e shoferit të "Fiat 127". Makina ishte përdorur nga vrasësit për t'u arratisur pasi kishin vrarë, më 6 janar 1980, presidentin e atëhershëm të Rajonit Siçilian, Piersanti Mattarella. Viktima ishte vëllai i presidentit aktual italian, Sergio Mattarella.

Më 12 qershor, ekspertëve do t'u jepet detyra e kryerjes së një krahasimi biologjik mbi zbulimin më të fundit me shpresën se do të identifikojnë autorët. Menjëherë pas vrasjes, gjurma u arkivua pasi u konsiderua e papërdorshme për të zbardhur identitetin e personit që e kishte lënë sepse në atë kohë nuk ishte teknikisht e mundur të bëheshin krahasime që do të jepnin një rezultat të caktuar. Megjithatë, sot këto mjete ekzistojnë.
Por sot, ekspertët janë të bindur se ajo mund të përdoret për ta krahasuar me ADN-në e personave të hetuar Antonio Madonia dhe Giuseppe Lucchese, dy vrasësit e Cosa Nostra-s, që dyshohen se i qëlluan edhe Mattarella-s. Por Madonia dhe Lucchese nuk ishin gjithmonë të dyshuarit e vetëm. Fillimisht, hipoteza kryesore që qarkulloi ishte se autorët e vrasjes ishin neofashistët Giusva Fioravanti dhe Gilberto Cavallini. Por tashmë kjo pistë është zbehur.
Por asgjë nuk ka qenë konfirmuar dhe pritet që analizat shkencore që do të kryhen pas pak ditësh të hedhin dritë ose të konfirmojnë hipotezat e hetuesve. Më në fund, krimi tashmë mund të ketë edhe fajtorë.
Si ndodhi vrasja e Piersanti Mattarella?
Vrasja e Piersanti Mattarella , president i Rajonit Siçilian , u krye të dielën, më 6 janar 1980, në Palermo. Ai u ekzekutua ndërsa po shkonte në meshë me gruan e tij Irma Chiazzese, vajzën e tij, Maria dhe vjehrrën e tij Franca. Nga të shtënat u plagos edhe Irma Chiazzese në dorë, e cila ishte përpjekur të mbulonte dhe mbronte fytyrën e burrit të saj. Fillimisht u konsiderua një sulm terrorist, pasi menjëherë pas krimit një grup i vetëshpallur neofashist mori përgjegjësinë. Më pas dhe gjatë gjithë hetimit të gjatë, vrasja e Piersanti Mattarella u konsiderua një krim i mafias politike./ZËRI