
BRUKSEL- 2023 do të jetë viti më i nxehtë i regjistruar, pasi Nëntori u bë muaji i gjashtë që vendosi rekorde të reja, njoftoi Observatori Evropian i Kopernikut. Muajin e kaluar, me temperaturën e sipërfaqes së tokës që arriti në 14.22°C, u tejkalua rekordi i mëparshëm mujor, i vendosur në nëntor 2020, me 0.32°C.
Nëntori 2023 ishte gjithashtu 1,75°C më i ngrohtë se mesatarja për çdo muaj korrespondues në periudhën 1850-1900, siç përcaktohet epoka para-industriale. Vjeshta e Hemisferës Veriore (shtator-nëntor) ishte gjithashtu më e ngrohta në rekord “me një diferencë të gjerë”, me temperaturë 15.3°C, 0.88°C mbi mesataren.
“Ky nëntor i pazakontë, gjatë të cilit patëm dy ditë ku temperaturat ishin 2 gradë mbi kohën para-industriale, do të thotë se 2023 do të jetë viti më i ngrohtë i regjistruar”, theksoi Samantha Burgess, Zëvendës Drejtore e Shërbimit të Ndryshimeve Klimatike Copernicus (C3S ) në njoftimin e publikuar.
Temperatura e sipërfaqes së detit në nëntor 2023 ishte gjithashtu historikisht më e ngrohta e regjistruar për këtë periudhë të vitit, 0,25°C më e lartë se rekordi i mëparshëm i vendosur në nëntor 2015. Një aspekt thelbësor i kësaj është fati i naftës, gazit dhe qymyrit -- nxitësit kryesorë të ngrohjes së planetit të shkaktuar nga njeriu.
Temperatura do të vazhdojë të rritet
Ndërkohë, viti 2023 ka parë një sërë ngjarjesh ekstreme shkatërruese të motit të lidhura me ndryshimet klimatike, edhe pse emetimet e karbonit në botë vazhdojnë të rriten. Sipas Kopernikut, të dhënat e të cilit shkojnë në vitin 1940, 11 muajt e parë të këtij viti kanë qenë 0,13C më të nxehtë se në vitin 2016, viti më i ngrohtë i mëparshëm.
Temperaturat globale në gjysmën e dytë të këtij viti besohet se janë nxitur pjesërisht nga fenomeni i motit El Nino. Shtatori deri në Nëntor, tre muajt që shënojnë vjeshtën në hemisferën veriore, ishin më të nxehtit parë ndonjëherë "me një diferencë të madhe".
"Temperatura do të vazhdojë të rritet dhe po ashtu do të rriten edhe ndikimet e valëve të të nxehtit dhe thatësirës”, -paralajmëron Observatori Evropian i Kopernikut.
Gjithashtu studiuesit paralajmëruan për 26 "pika kthese" të Tokës, të tilla si shkrirja e shtresave të akullit, që kanë potencialin të lëshojnë një efekt domino të katastrofave të pakthyeshme në të gjithë planetin.